Situata e Jamal Musialës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Gjermani. Mesfushori i Bayern Munich po përballet me një çrregullim neurologjik funksional, ndërsa shqetësimi kryesor në këtë periudhë është rikuperimi i tij dhe jo rikthimi në fushën e blertë.
Në ditët e fundit, vëmendje të madhe kanë marrë edhe diskutimet mes klubit bavarez dhe përfaqësuesve të futbollistit lidhur me kontratën dhe pagën e tij. Pas disa deklaratave që sugjeronin një rishikim të mundshëm të kushteve financiare, Bayern Munich ka ndryshuar qëndrim, duke siguruar agjentët e lojtarit se prioritet absolut mbetet shëndeti i tij.
“E rëndësishme është vetëm rikuperimi, jo kontrata”, ishte mesazhi i klubit gjerman.
Në këtë situatë ka reaguar edhe kapiteni i Bayernit, Joshua Kimmich, i cili nuk i ka kursyer kritikat ndaj mënyrës se si çështja është trajtuar publikisht.
“Shqetësimi i klubit është i kuptueshëm. Ajo që nuk arrij të kuptoj është mënyra se si ky informacion komunikohet publikisht”, deklaroi mesfushori gjerman.
Kimmich theksoi se Bayern Munich është mbi çdo futbollist, por shtoi se asnjë klub nuk mund të vendoset mbi mirëqenien e një individi.
“Sigurisht, klubi është gjithmonë prioriteti absolut dhe më i rëndësishëm se ne lojtarët, por nuk është kurrë më i rëndësishëm se individi. Kjo është plotësisht e papranueshme dhe nuk pasqyron aspak frymën e Bayernit.
Ajo që ndodhi tani nuk duhet të ndodhë kurrë. E konsideroj plotësisht të pakuptueshme. Gjithçka e tillë duhet të diskutohet me dyer të mbyllura”, përfundoi Kimmich.
