Haxhiu kujton sakrificën e UÇK-së, kërkon drejtësi për ish-krerët që po mbahen në Hagë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një adresim para deputetëve, ka kujtuar ngjarjet historike të nëntorit dhe sakrificën e atyre që kontribuuan në çlirimin e vendit, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë e 27 nëntorit, Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rikujtuar se kjo forcë i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në sakrificën e dëshmorëve.
“Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka deklaruar ajo.
Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan një kthesë të rëndësishme në historinë e rezistencës shqiptare, me kalimin drejt luftës së hapur kundër forcave serbe.
Një pjesë të adresimit ia kushtoi edhe ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Haxhiu ka shprehur mbështetje për ta, duke e cilësuar mbajtjen e tyre atje si të padrejtë dhe duke kërkuar që sa më parë të kthehen në Kosovë.
“Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.















