GJKKO shpall vendimin/ Dënohet nëna e Kryemadhit, i pafajshëm Xhixho, ish-deputetes i hiqet sekuestro e vilës Ndërsa sot në seancë po diskutohet akt normativ për protestat, deputeti i PD-së, Tomor Alizoti, nga foltorja e Kuvendit, u shpreh se kjo është e papranueshme dhe se nuk mund të kalohet një ligj që ndalon qytetarët të protestojnë. Ai tha se Gjykata Kushtetuese ka dhënë qartë vendimin, ku thuhet se qytetarët mund të protestojnë dhe se për këtë duhet vetëm të njoftojnë policinë.
Sipas tij, ky akt normativ bëhet sepse qeveria ka frikë nga protestat. Kritika pati edhe për policinë, ku ndër të tjera e cilësoi një repart dhune.
“Do flas për aktin normativ për tubimet. Arritja më e madhe e Shqipërisë ka qenë pas një sistemi totalitar që e kalon Korenë e Veriut, akti për tubimin. Si mund të ndaloni një qytetar të protestojë? Çfarë ka më të shenjtë në demokraci se protesta? Ju i bëni akte normative për të mos protestuar. Çfarë kam parë në aktin normativ, vendimi 24 i Kushtetueses, thotë: nuk ka nevojë të merret leje në polici, por të lajmërohet policia që njerëzit duan të protestojnë. Pse i ndaloni? Sepse keni frikë nga protesta. Policia rrit dozën e saj për të kontrolluar qytetarët dhe, sipas filmimeve, doli që u gjobitën edhe jetimë, që nuk kishin ku jetonin e ku të ushqeheshin. Po nëse ne duam të shkojmë në BE, ju e keni dhe parullë politike: ‘Ne shkojmë në BE me demokraci’.
Doni t’i trembni shqiptarët me polici? Një polici që rrahu njerëz në kisha e xhami, një polici që ka një epsh që është i pashpjegueshëm se përse e ka. Kushtetuesja e ka vendosur hapur dhe qartë dhe thjesht duhet të njoftojë policinë. Policia është një repart dhune”, u shpreh ai ndër të tjera.
“Ju do e votoni këtë sepse do të aplikoni servilizimin… si në kohën e komunizmit me sekretarët e Partisë së Punës që i përjashtonin dhe nuk u fliste më njeri. Kush do të flasë nga ata të partisë suaj që i keni përjashtuar, le të vijë t’i japim një dorë muhabet”, tha ai në mbyllje të fjalës.
Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së iu përgjigj Taulant Balla, i cili tha se sekretarin e Partisë së Punës e kanë në krye të partisë. Ai i bëri thirrje PD-së që të bashkëpunojnë për të çuar përpara reformat për shkuarjen drejt BE-së.
“I vetmi sekretar i Partisë së Punës në këtë sallë është kryetari i partisë tënde. Ta mbash me shëndet dhe jetëgjatë, o ishalla. Sekretarët e Partisë mos i shiko nga ne. Ne e kemi dënuar diktaturën në ’91 dhe prej asaj dite jemi angazhuar për projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, anëtarësimin në BE. Dhe sot është dita që edhe PD-ja, nëse doni të punoni bashkë me ne për këtë projekt historik, jeni të mirëpritur. Besoj se mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë puna për të çuar përpara të gjitha reformat”, tha Balla.
“Ky akt e çon legjislacionin shqiptar për tubimet në një nivel të afërt me vendet e BE-së. Ato penalitete në këto shtete janë shumë të ashpra, ne jemi ende tolerantë. Ju kam dëgjuar se si sulmoni policinë, mos harroni se ajo është aty për të bërë detyrën”, tha ai, duke iu përgjigjur akuzave për aktin normativ që po diskutohet dhe akuzave ndaj policisë gjatë protestave.
Top Channel