Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka prezantuar në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë platformën e re “Help4You”, një nismë që do të mundësojë komunikimin e të rinjve me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, përfshirë edhe rreziqet në hapësirën virtuale.
Në aktivitetin e zhvilluar së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, drejtoreshën e gjimnazit Majlinda Ziu, drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të arsimit, prindër dhe oficerë sigurie, Demo tha se platforma do të vijë në Shqipëri përmes bashkëpunimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me Interpolin.
Sipas ministrit, “Help4You” do të shërbejë si një adresë e vetme komunikimi, përmes së cilës të rinjtë do të mund të kontaktojnë Policinë e Shtetit, strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, Ministrinë e Arsimit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, Demo u ndal te rreziqet që paraqet komunikimi në internet, duke përmendur bullizmin, cenimin e privatësisë dhe sjelljet lënduese që mund të nxiten nga mungesa e ndërveprimit të drejtpërdrejtë.
“Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet janë këtu për të krijuar një ekosistem të tërë, në mënyrë që ju të guxoni, por të guxoni në mënyrë të sigurt”, u shpreh Demo.
Ai bëri të ditur se për platformën e re do të zhvillohet edhe një fushatë ndërgjegjësimi në shkolla, me qëllim njohjen dhe përdorimin e saj nga të rinjtë.
Ministri u bëri thirrje nxënësve të mos heshtin përballë rasteve të bullizmit dhe cenimit të sigurisë së bashkëmoshatarëve, duke theksuar se mbrojtja e njëri-tjetrit duhet të jetë pjesë e kulturës së shkollës.
Në përfundim, Demo deklaroi se gjatë vitit 2026 janë regjistruar tregues pozitivë për sigurinë në shkolla. Sipas tij, numri i oficerëve të sigurisë është rritur nga 150 disa vite më parë në 400 aktualisht. Ai theksoi se siguria në institucionet arsimore mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit.a.b




