Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku në fokus të takimeve do të jetë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Kos do të zhvillojë një takim me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian pranë Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë takim pritet të diskutohen ecuria e negociatave të anëtarësimit, reformat që vendi duhet të përmbushë dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE.

Në takimet e fundit në Bruksel dhe Athinë, Marta Kos ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke e renditur atë mes vendeve që po avancojnë me ritme të shpejta në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Megjithatë, ajo ka theksuar se mbështetja politike duhet të shoqërohet me zbatimin konkret të reformave dhe përmbushjen e standardeve europiane. Vizita e Marta Kos në Tiranë vjen në nnjë moment kur vendi është përfshirë në protesta kundër Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb