Roma e Gian Piero Gasperinit realizon një paraqitje të madhe në transfertë, duke barazuar 2-2 ndaj Paris Saint-Germainit në Champions League.
Verdhekuqtë kaluan të parët në avantazh që në minutën e pestë, me Hermoson, pas një aksioni individual të Soulé. PSG reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 32-të, me Zabarnyin, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje këndi.
Në pjesën e dytë, kampionët e Europës përmbysën rezultatin me Dembélén, që realizoi nga pika e bardhë në minutën e 61-të. Por Roma nuk u dorëzua dhe në minutën e 77-të, Malen shndërroi në gol një penallti, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Një pikë me shumë vlerë për skuadrën e Gasperinit, që pavarësisht vështirësive në këtë edicion, vazhdon të mbajë gjallë shpresat për kualifikimin. Roma numëron pesë pikë pas pesë ndeshjesh dhe renditet në vendin e 25-të, vetëm një pikë larg zonës së play-off-it.
Në krahun tjetër, PSG zbret në vendin e dytë me 13 pikë, dy më pak se Real Madridi kryesues. Pas ndeshjes, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, vlerësoi paraqitjen e skuadrës italiane, duke u shprehur:“Roma e Gasperinit është një skuadër unike, me shumë personalitet dhe jashtëzakonisht agresive. E tregoi këtë që në minutat e para. Shënuan në rastin e tyre të parë dhe për ne ishte një ndeshje shumë e vështirë. Përgëzoj Romën për paraqitjen. Jam i kënaqur me këtë pikë, sepse mund edhe të kishim humbur. E ardhmja e Romës është e shkëlqyer dhe mendoj se mund të fitojë edhe titullin kampion. Nuk kam dyshime se mund të përfundojë mes 24 skuadrave të para. Shpresoj të kualifikohen, sepse nuk do të doja të përballesha sërish me ta, ndoshta vetëm në finale”, përfundoi Luis Enrique.
