PD kërkon të zgjatet afati për “Zgjedhoren”, Bylykbashi: Duhet të vijojmë punën me asistencën e ODIHR dhe Venecias
Partia Demokratike kërkon zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili përfundon më 30 nëntor.
Kërkesa u bë nga bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, gjatë seancës plenare në Kuvend. Ai argumentoi se shtyrja e afatit është e nevojshme për të përfunduar punën dhe për të marrë asistencën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR.
Bylykbashi tha se OSBE/ODIHR ka kërkuar një përgjigje nga Kuvendi nëse mandati i komisionit do të zgjatet apo do të përfundojë më 30 nëntor. Sipas tij, mosmiratimi i shtyrjes do të pengonte vijimin e bashkëpunimit me këto institucione.
Ai theksoi gjithashtu se parlamenti ka detyrimin të zgjasë mandatin e komisionit për të përfunduar reformën zgjedhore.
“Sot ka ardhur Komisioni i Venecias, për fat të keq shkresa juaj i ka keqdrejtuar. OSBE/ODIHR do të dijë nëse do të zgjatet mandati. Duhet të vendoset shtyrja në mënyrë që Venecia dhe ODIHR të na japin asistencën.
Ligji i financimeve për partitë politike nuk është rekomandim i Komisionit të Venecias. Është detyrë e parlamentit që të zgjasë mandatin për këtë komision, që ne të përfundojmë punën. Ajo çfarë u tha këtu ishte një gënjeshtër. Sa i takon ligjit për tubimet, e drejta për tubim është një e drejtë kushtetuese”, tha Bylykbashi.
Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesën e opozitës, duke kujtuar se mandati i komisionit përfundon më 30 nëntor.
“Komisioni e ka mandatin deri në datën 30. Pas datës 30 ju nuk keni mandat të na merrni peng”, tha Balla.




