Partia Demokratike ka kërkuar në Kuvend shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me argumentin se puna për ndryshimet ligjore nuk ka përfunduar ende.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se komisioni kishte rënë dakord që Komisionit të Venecias t’i kërkohej asistencë për të gjitha paketat e reformës, dhe jo vetëm për ligjin për financimin e partive politike.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i kërkoi opozitës të rikthehet në punën e komisionit, duke theksuar se mandati përfundon më datë 30 dhe se kjo do të jetë hera e fundit që zgjatet. Balla akuzoi gjithashtu PD-në se nuk dëshiron miratimin e ligjit për financimin e partive politike, përmendur çështjen e lobimit prej 6 milionë dollarësh në SHBA.

Oerd Bylykbashi: Kam kërkuar zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot kemi edhe praninë e Komisionit të Venecias, me të cilin do të zhvillojmë një takim për të diskutuar asistencën që do të na ofrojë. Problemi është se shkresa juaj e ka orientuar kërkesën vetëm drejt ligjit për financimin e partive politike, ndërkohë që në komision kemi rënë dakord me konsensus që asistenca e Venecias të përfshijë të gjitha paketat e reformës.

Taulant Balla: Ky komision është ngritur mbi bazën e një formule tradicionale, të dakordësuar mes palëve. Por pas datës 30 nuk mund të përdorni më këtë proces për të mbajtur peng axhendën europiane dhe atë të shqiptarëve. Ftesa për të vijuar punën është e hapur. Uluni dhe punoni sot, nesër apo edhe në fundjavë, por me seriozitet. Dua t’jua kujtoj se këtë jua kam thënë edhe gjashtë muaj më parë: kjo është hera e fundit që ne pranojmë zgjatjen e mandatit të këtij komisioni.

Ne do të rikthehemi te reforma zgjedhore përmes një komisioni tjetër, për të vijuar bashkëpunimin, por ky komision duhet ta përmbushë detyrën. Ju e bojkotuat punën dhe u kujtuat për zgjatjen e afatit vetëm kur ai po përfundon. Ajo që presim nga opozita është të ecim përpara me ligjin për financimin e partive politike. Jeni e vetmja opozitë që nuk dëshironi t’i nënshtroheni kontrollit financiar, sepse keni shqetësimin se mund të dalë në dritë se ku shkuan 6 milionë dollarët e lobimit në SHBA.

Oerd Bylykbashi: Kemi frikën se do të përsëritet i njëjti skenar si me Reformën Territoriale, ku procesi do të dështojë dhe më pas do të bëhet sipas vullnetit tuaj. Ne kemi treguar gatishmëri dhe kemi paraqitur propozimet tona për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it. Ndërkohë, nga ana juaj deri më tani nuk kemi parë asnjë propozim, asgjë konkrete.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: