Shtetet e Bashkuara bënë publike planet e tyre për vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj Bashkimit Evropian dhe 13 partnerëve të tjerë tregtarë, mes të cilëve Kina, Japonia, Zvicra dhe Koreja e Jugut. Sipas administratës amerikane, masat synojnë të kundërshtojnë mbiprodhimin industrial dhe praktikat tregtare që, nga sa pretendon Ëashingtoni, dëmtojnë konkurrencën dhe tregun amerikan. Tarifat janë propozuar pas një hetimi tetëmujor të Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, ndërsa për produktet e Bashkimit Europian parashikohet një normë maksimale prej 15 për qind. Kina pritet të përballet me një tarifë shtesë prej 20 për qind, e cila do t'u shtohej detyrimeve doganore ekzistuese, të vendosura gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump. Uashingtoni argumenton se subvencionet shtetërore në vendet e prekura nxisin prodhimin përtej kërkesës së tregut dhe krijojnë konkurrencë të padrejtë për industrinë amerikane. Sipas autoriteteve amerikane, Kina është një nga burimet kryesore të mbiprodhimit dhe eksporteve me çmime të ulëta në tregjet ndërkombëtare. Masat e reja nuk pritet të hyjnë në fuqi përpara janarit 2027, pasi deri atëherë do të zhvillohen konsultime dhe dëgjesa publike, ku palët e interesuara mund të paraqesin kundërshtimet e tyre. Komisioni Europian e ka kundërshtuar argumentimin amerikan, duke mohuar se industria evropiane është përgjegjëse për mbiprodhimin strukturor. Brukseli i ka kërkuar Uashingtonit të respektojë marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar mes presidentit Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Sipas kësaj marrëveshjeje, tarifat e përgjithshme amerikane për produktet evropiane nuk duhet të kalojnë nivelin prej 15 për qind, me përjashtime për disa kategori, përfshirë çelikun dhe aluminin.