Në orët e para të mëngjesit, një zjarr ka përfshirë autotransformatorin AT2 (400/220 kV) që ndodhet në nënstacionin Kosova B.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) bëri të ditur se sapo u mor njoftimi për flakët, u lajmëruan menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat shkuan pa vonesë në vendngjarje.
Të lidhura
None found
Aktualisht, skuadrat teknike po punojnë në terren për të vlerësuar dëmin e shkaktuar dhe për të hetuar rrethanat që çuan në këtë avari.
Sipas njoftimit zyrtar të KOSTT-it, ky incident nuk ka pasur asnjë pasojë për qytetarët sa i përket energjisë elektrike.
“Sistemi elektroenergjetik i Kosovës ka vijuar të funksionojë normalisht dhe furnizimi me energji elektrike nuk është ndërprerë, pasi defekti në autotransformator nuk ka ndikuar në operimin e tij”, theksohet në komunikatë.
KOSTT shprehu mirënjohje për ekipet e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë dhe për Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e treguar në vendin e ngjarjes.
Ende nuk janë bërë publike shkaqet e zjarrit dhe as shkalla e plotë e dëmeve të shkaktuara.







