Një fluturim i kompanisë Delta Airlines nga Bostoni drejt Tampës, në Florida, është vonuar për pak minuta pasi një mace e njërit prej pasagjerëve është arratisur nga kafazi i transportit dhe ka nisur të lëvizë lirshëm në kabinën e avionit.
Ngjarja u regjistrua në aeroportin ndërkombëtar Logan të Bostonit, në momentin kur avioni po përgatitej për t’u ngritur. Piloti i kërkoi kontrollit të trafikut ajror të ndalonte avionin për shkak të një problemi në kabinë dhe më pas shpjegoi se bëhej fjalë për një mace që po lëvizte lirshëm mes pasagjerëve.
Pas zgjidhjes së situatës, avioni u ngrit pa probleme të tjera dhe mbërriti në Tampa sipas orarit të planifikuar, siç bëri të ditur kompania ajrore. Stephen Arroyo, kapiten në pension i kompanisë United Airlines dhe ekspert i aviacionit, shpjegoi se pilotët duhet të ndërpresin procedurat e ngritjes në rastet kur pasagjerët nuk janë të ulur në vendet e tyre ose kur një kafshë shtëpiake del nga kafazi dhe lëviz lirshëm në kabinë.
Sipas rregullores së Delta Airlines, macet dhe qentë e vegjël që udhëtojnë në kabinën e avionit duhet të qëndrojnë gjatë gjithë fluturimit në kafaze të mbyllura dhe të ajrosura, të vendosura poshtë sediljes përpara pronarit të tyre.
Pasagjerët që nuk respektojnë këto rregulla rrezikojnë të humbasin të drejtën për të udhëtuar me kafshët e tyre shtëpiake në fluturimet e kësaj kompanie në të ardhmen.

