Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor aktin normativ për tubimet për të kufizuar lirinë e protestës dhe për të instaluar autokracinë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjekmarkaj paralajmëroi se mazhoranca po kërkon ta kthejë frikën në ligj, duke e krahasuar këtë qasje me praktikat represive të regjimeve gjatë Pranverës Arabe.
“Protesta është pjesë e identitetit të një shoqërie, është hapësirë lirie që ju kërkoni ta mbyllni, por nuk do t'ia dilni dot”, deklaroi deputeti demokrat, i cili akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e gjobave si instrument presioni ndaj qytetarëve, bizneseve dhe mediave.
“Ju e keni me shumicë forcën e shëmtuar të dhunës, por ju mungon arsyeja dhe e drejta”, përfundoi Gjekmarkaj.
Fjala e tij:
Një mazhorancë e cila e bashkon partinë me shtetin, që ndërton autokracinë, e ka patologjike urrejtjen për Sali Berishën, i cili e themeloi pluralizmin, lirinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Një mazhorancë e cila furnizohet me vota nga kriminelët që Sali Berisha, me 130 banda, i futi në burg, e ka patologjike urrejtjen ndaj tij, dhe kjo nuk na shqetëson.
Dhe duhet t'ju them që gjatë Pranverës Arabe, parlamentet libiane, tuniziane, egjiptiane dhe siriane, me shpejtësi, me logjikën tuaj, me të njëjtën frikë, miratuan akte normative kundër protestuesve për t'i dënuar, për t'i sakatuar, për t'i terrorizuar, siç bëni ju. Ju po veproni njësoj.
Sot, në mënyrë sui generis, ju po i jepni formë ankthit dhe frikës suaj psikologjike, po kërkoni që ta identifikoni frikën me ligj.
Protesta është pjesë e identitetit të një shoqërie. Protesta është si traditat, është si kultura, është moment shpirtëror, është hapësirë lirie që ju kërkoni ta mbyllni, por nuk do t'ia dilni dot.
Nuk e di sa prej jush e njohin Miguel de Unamunon, filozofin e madh spanjoll, rektor në Universitetin e Salamankës, i cili ishte konservator dhe iu drejtua palës fashiste në momentin kur pa që po u vrisnin studentët, po u rrihnin intelektualët dhe po persekutonin shoqërinë. Ju po e fitoni këtë kauzë sepse e keni me shumicë forcën e shëmtuar të dhunës, por ju mungon arsyeja dhe e drejta. Por një ditë arsyeja dhe e drejta do t'ju mundin ju, dhe kështu ndodhi.
Është e zvetënuar dhe paradoksale, fakti që ju bëni sot akt normativ kundër tubimeve, sepse ju shqiptarët dhe rininë i doni pa fytyrë kolektive, pa dinjitet kolektiv. I doni ata masë amorfe, siç janë shumë prej jush këtu. I doni ata pa ide, siç janë shumë prej jush këtu, sepse ju doni t'i edukojë lideri, siç ju edukon ju.
Ju jeni pro gjobave, sepse gjobën e keni emblemë dhe simbolin tuaj të 14 viteve. Vini gjoba natën, vini gjoba bizneseve, mediave, individëve. Gjoba është natyra juaj e dytë. Ju mendoni se, duke e përçarë shoqërinë, duke vënë gjoba ndaj individëve, do ta frikësoni atë. Përsëri ju them: kjo është betejë e humbur.
Ju nuk keni sjellë akte normative kur Shqipëria digjej në verë, digjej e gjithë Shqipëria dhe na thonit: «Sa i keq është zjarri, rrini larg». Ju nuk keni sjellë akte normative kur përmbytej Shqipëria, Shkodra, Lezha, Durrësi. Na thonit që uji është i keq, të lag, mbani çadër. Ju nuk keni sjellë akte normative në këtë parlament për rroga dhe pensione. Ju nuk keni sjellë akte normative në këtë parlament për aksidentet rrugore, por na thoni: Ecni ngadalë, se i gjalli ka selametin.
© SYRI.net