Një incident me një avion mallrash të kompanisë FedEx ka shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në Florida të SHBA-së. Avioni ka dalë nga pista të mërkurën në mbrëmje, duke detyruar Administratën Federale të Aviacionit (FAA) të pezullojë përkohësisht nisjet drejt aeroportit. Sipas autoriteteve, avioni kishte mbërritur nga Memfisi dhe për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, ka rrëshqitur jashtë pistës. Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa FAA ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet.
Nisjet drejt aeroportit u anuluan pak pas orës 20:15 sipas orës lokale, ndërsa të gjitha pistat, me përjashtim të njërës, u mbyllën. Fluturimet rifilluan rreth 90 minuta më vonë, pasi autoritetet konfirmuan se operacionet mund të vijonin në mënyrë të sigurt. Vonesat e fluturimeve në aeroport arritën deri në një orë, por situata nisi të normalizohej gjatë mbrëmjes. Pasagjerëve iu kërkua të kontaktonin kompanitë ajrore për të verifikuar statusin e fluturimeve përpara se të niseshin drejt aeroportit.
“Falënderojmë pasagjerët tanë për durimin e tyre ndërsa punojmë për të rivendosur në mënyrë të sigurt operacionet normale”, deklaroi Greg Chin, zëdhënës i Departamentit të Aviacionit të Qarkut Miami-Dade.
Incidenti ndodhi në prag të Ditës së Falënderimeve, një prej periudhave më të ngarkuara të udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara. Aeroporti i Miamit renditet ndër pesë destinacionet kryesore vendase për udhëtarët amerikanë gjatë kësaj jave festash, sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave. Ndërkohë, zona e Miami-Dade është përballur edhe me reshje të dendura shiu, për të cilat Shërbimi Kombëtar i Motit kishte lëshuar paralajmërim për përmbytje.
