PD ka kërkuar që të shtyhet afati i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Duke folur në Kuvend, Bylykbashi tha se duhet të vendoset shtyrja e afatit të komisionit, në mënyrë të merret asistenca e duhur nga Komisioni i Venecias dhe OSBE-ODIHR.
“E kërkoj këtu, do ta kërkoj edhe formalisht zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias, pak më vonë kemi takim me ta për të diskutuar, për të na dhënë asistencën.
Për fat të keq shkresa juaj i ka keqdrejtuar, jua kanë instruktuar në atë formë duke i kërkuar vetëm asistencë vetëm për ligjin e financimit të partive politike. Vendimi i komisionit me konsensus ka qenë për të gjitha paketat, mbi të gjitha ndarjen e shtetit nga partia. OSBE-ODIHR na është përgjigjur dhe kërkon të dijë nëse do zgjatet mandati, për të na asistuar, siç kemi kërkuar ne”, tha Bylykbashi në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i replikoi duke i thënë se kërkojnë shtyrje të afatit ndërkohë që bojkotuan punën me ditë të tëra.
“Komisioni i posaçëm e ka afatin deri më 30, pas kësaj date ju nuk e keni më të drejtën për të arrë peng axhendën tonë evropiane. Ftesa është aty, uluni sot, nesër, pasnesër, të dielën. Punoni me seriozitet por mos e harroni se atyt në atë foltore ta kam thënë sot e 6 muaj përpara është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. Do të rikthehemi në një komision tjetër të reformës zgjedhore për të punuar së bashku, ndoshta pas zgjedhjeve vendore, ndoshta edhe para, por ky komision duhet të jetë serioz.
Pasi e bojkotove zotrote me dhjetëra herë mbledhjen e komisionit, u kujtove se po mbaron afati me shpresën se po e pengojmë këtë detyrë shtëpie. Ajo që ne duam prej jush është të ecim përpara për momentin me ligjin për financimin e partive politike. Jeni e vetmja opozitë që nuk do të vihet në kontroll në financimin e partive se keni hall mos iu del se ku i çuat 6 milionë dollarë për një vizë.”, replikoi Balla.













