Gjashtë anëtarë të së njëjtës familjeje, mes tyre tre të mitur, humbën jetën pasi avioni Cessna 210, me të cilin udhëtonin nga New Orleans drejt Floridës, u rrëzua në Gjirin e Meksikës. Autoritetet identifikuan viktimat si pilotin Brent Stokes, 50 vjeç, djalin e tij Hunter, 16 vjeç, motrën e pilotit Arlyn Knox, 40 vjeçe, bashkëshortin e saj Michael Knox, 40 vjeç, dhe dy fëmijët e tyre.

Avioni humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror rreth orës 15:45 të së martës. Sipas Rojës Bregdetare, radarët regjistruan një rënie prej rreth 3 mijë metrash në minutë, përpara se avioni të përplasej në det, 3,2 kilometra në verilindje të ishullit Horn.

Në operacionin katërorësh të kërkim-shpëtimit morën pjesë Roja Bregdetare, FBI-ja dhe Forcat Ajrore. Fillimisht u gjetën tre jelekë shpëtimi, një gomone dhe kabina e avionit. Më pas, zhytësit gjetën trupat e të gjashtë viktimave.

Autoritetet federale të aviacionit do të hetojnë shkaqet e aksidentit. Tragjedia vjen vetëm pak javë pasi një avion privat Learjet 60 u rrëzua në jug të Floridës, duke u marrë jetën nëntë personave, mes tyre edhe dy fëmijëve të vegjël.