Gjatë diskutimeve në Kuvend lidhur me ligjin për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, deputeti demokrat Tomor Alizoti nga foltorja e Kuvendit theksoi se kurrsesi një ligj që ndalon qytetarët të protestojnë nuk mund të kalojë. Sipas tij, ky akt normativ bëhet sepse qeveria ka frikë nga protestat ‘Si mund të ndaloni një qytetar të protestojë? Çfarë ka më të shenjtë në demokraci se protesta? Doni t’i trembni shqiptarët me polici? Një polici që rrahu njerëz në kisha e xhami, një polici që ka një epsh që është i pashpjegueshëm se përse e ka. Kushtetuesja e ka vendosur hapur dhe qartë dhe thjesht duhet të njoftojë policinë. Policia është një repart dhune. Ju do e votoni këtë sepse do të aplikoni servilizimin… si në kohën e komunizmit me sekretarët e Partisë së Punës që i përjashtonin dhe nuk u fliste më njeri. Kush do të flasë nga ata të partisë suaj që i keni përjashtuar, le të vijë t’i japim një dorë muhabet’ Në kundërpërgjigje, kreu i grupit socialist Taulant Balla nuk i kurseu ironitë. Ai theksoi se me penalitetet ndaj protestuesve, qeveria shqiptare është treguar më tolerante në krahasim me vendet e BE.