Fundoset cisterna me 7 mijë tonë naftë pranë Ibizës, humb jetën një anëtar i ekuipazhit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2026, 12:04

Një cisternë nafte është fundosur në orët e para të mëngjesit në ujërat pranë ishullit spanjoll të Ibizës, rreth 46 kilometra në verilindje të tij. Ngjarja tragjike i ka marrë jetën njërit prej 17 personave që ndodheshin në bord.

Anija me emrin “Med Emre”, e regjistruar nën flamurin e Maltës, ishte nisur nga porti i Algecirasit dhe kishte si destinacion Barcelonën. Sipas informacioneve të autoriteteve të Ishujve Balearikë, cisterna mund të transportonte deri në 7 mijë tonë naftë.

Alarmi për emergjencën u dha rreth orës 01:20, pasi në trupin e anijes u konstatua një çarje, përmes së cilës uji kishte nisur të depërtonte në brendësi. Këtë e bëri të ditur Pablo Garriz, Drejtor i Përgjithshëm për Emergjencat dhe Punët e Brendshme në Ishujt Balearikë.

Operacioni i shpëtimit bëri të mundur nxjerrjen nga deti të të 17 anëtarëve të ekuipazhit. Megjithatë, njëri prej tyre nuk arriti t'u mbijetonte pasojave të incidentit dhe ndërroi jetë në spitalin “Can Misses” në Ibiza.

Gjashtë persona të tjerë u dërguan për trajtim mjekësor, kryesisht për shkak të shenjave të hipotermisë. Pesë prej tyre u transportuan drejt Valencias, ndërsa pesë anëtarë të ekuipazhit, të cilët rezultonin në gjendje të mirë shëndetësore, mbetën në bordin e një anijeje shpëtimi.

Përveç viktimave dhe të lënduarve, shqetësim kryesor për autoritetet mbetet mundësia e ndotjes së detit nga karburanti që transportonte cisterna. Për këtë arsye, autoriteti spanjoll i marinës tregtare ka aktivizuar nivelin e dytë të planit kombëtar për përballimin e emergjencave të ndotjes detare.

Rreziku mjedisor është veçanërisht shqetësues për shkak të biodiversitetit të zonës ku ndodhi fundosja. Ujërat përreth janë habitat i disa specieve të mbrojtura, mes tyre breshkave të detit, delfinëve dhe shpendëve detarë të rrezikuar. Po ashtu, në këtë pjesë të Mesdheut gjenden livadhe nënujore të bimës Posidonia oceanica, me rëndësi të veçantë për ekosistemin detar.

Deri në orët e mëngjesit, specialistët në bordin e anijes së shpëtimit detar “Clara Campoamor” nuk kishin evidentuar gjurmë të ndonjë rrjedhjeje nafte. Pavarësisht kësaj, autoritetet spanjolle kanë vijuar kontrollet dhe vëzhgimin e zonës, përfshirë edhe përmes mjeteve ajrore, për të identifikuar në kohë çdo shenjë të mundshme ndotjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit