IKD-ja siguron 10 mijë nënshkrimet, nisma për ndryshimin e Kodit Penal dërgohet në Qeveri
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se Nisma Legjislative Qytetare për ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës ka përmbushur kushtin ligjor prej së paku 10 mijë nënshkrimesh.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili ka njoftuar se pas verifikimit dhe konfirmimit të nënshkrimeve, nisma i është përcjellë Qeverisë së Kosovës për dhënien e mendimit ligjor.
Pas kësaj faze, nisma pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës, ku do të shqyrtohet sipas procedurave parlamentare, njofton Dukagjini.
Përmes kësaj iniciative, IKD synon të adresojë dy çështje që i konsideron të rëndësishme përmes ndryshimeve në Kodin Penal: keqpërdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore, si dhe moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale, IKD propozon që kjo të përcaktohet si vepër penale, për të cilën parashihet dënim prej një deri në pesë vjet burgim.
Ndërkaq, propozimi i dytë synon që edhe moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përfshihet si vepër penale në Kodin Penal.
Në një postim në Facebook, Miftaraj ka falënderuar qytetarët që kanë mbështetur këtë nismë, duke e cilësuar konfirmimin e nënshkrimeve si dëshmi të vullnetit qytetar për ndryshimin e legjislacionit penal.















