Zgjerimi i Bashkimit Europian është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar. Ky është mesazhi kryesor i deklaratës me 20 pika të samitit të Brukselit, me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe ambicien e saj për anëtarësim. “Ne ritheksojmë angazhimin tonë të plotë dhe të paekuivok për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale, e cila duhet shfrytëzuar.” Brukseli mirëpret dinamizmin e procesit të integrimit, duke e konsideruar zgjerimin një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin europian.