Kina kundërpërgjigjet ndaj kërcënimit të Trump për tarifa të reja

Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Azisë po përshkallëzohen sërish, pas njoftimit të administratës Trump për një valë të re tarifash doganore. Kina ka paralajmëruar kundërmasa, ndërsa partnerët e tjerë tregtarë aziatikë kanë kundërshtuar argumentet e Uashingtonit, duke shtuar pasigurinë për tregtinë globale dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Autoritetet amerikane njoftuan të mërkurën tarifa të reja për një sërë mallrash të importuara nga vende me marrëdhënie të ngushta tregtare me SHBA-në.
Kina dhe Vietnami janë vendet më të prekura, ndërsa tarifa të reja janë vendosur edhe ndaj Japonisë, Koresë së Jugut, Indisë, Indonezisë, Malajzisë, Singaporit, Tajvanit, Tajlandës, Bangladeshit dhe Kamboxhias. Masat prekin gjithashtu Bashkimin Europian dhe Zvicrën.
Tarifat pasojnë një hetim të drejtuar nga Jamieson Greer, kryenegociatori tregtar i Trump, për të përcaktuar nëse këto vende u ofrojnë kompanive të tyre subvencione që krijojnë avantazhe të padrejta konkurruese.
Kina paralajmëroi se ka të drejtën të marrë masa për të mbrojtur interesat e saj ekonomike, pasi administrata e Donald Trump propozoi tarifa të reja doganore, duke rrezikuar armëpushimin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sipas Reuters dhe AFP, importet nga Kina do të përballen me një tarifë prej 20%, e cila mund të dyfishohet në 40% nëse marrëveshja e përkohshme tregtare mes dy vendeve, që skadon më 10 janar 2027, nuk zgjatet. Tarifat e propozuara vijnë përveç atyre prej rreth 25%, të vendosura gjatë mandatit të parë të Trump.
Pekini hodhi poshtë pretendimet e Uashingtonit për mbikapacitete industriale, duke i cilësuar ato si pretekst për politika proteksioniste. SHBA-ja akuzon prej kohësh Kinën se, nëpërmjet subvencioneve shtetërore, furnizon tregjet globale me produkte me kosto të ulët, veçanërisht çelik, automjete elektrike dhe panele diellore.
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, He Yadong, paralajmëroi se tarifat rrezikojnë të destabilizojnë zinxhirët globalë të furnizimit, të rrisin inflacionin dhe të dëmtojnë interesat e bizneseve dhe konsumatorëve.
Megjithatë, Pekini ende nuk ka njoftuar masa konkrete kundërpërgjigjeje, duke i bërë thirrje Uashingtonit të zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut.
Përshkallëzimi i tensioneve vjen vetëm një javë pas takimit mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Shenzhen. Dy liderët pritet të takohen sërish në dhjetor, në samitin e G20 në Shtetet e Bashkuara.
Në kuadër të armëpushimit tregtar, Kina ishte angazhuar të rriste blerjet e produkteve bujqësore amerikane dhe të pezullonte për një vit kufizimet mbi eksportet e tokave të rralla.
Vietnami përballet me një tarifë 20% dhe një tarifë shtesë 15%, nëse nuk arrin një marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Vendi i Azisë Juglindore është shndërruar vitet e fundit në një qendër të rëndësishme prodhimi për kompanitë që zhvendosin aktivitetin nga Kina për të shmangur tarifat amerikane.
Si rezultat, suficiti tregtar i Vietnamit me SHBA-në arriti në gati 190 miliardë dollarë në nëntë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar atë të Kinës.
Ministria vietnameze e Industrisë dhe Tregtisë kundërshtoi përfundimet e hetimit amerikan, duke njoftuar se do të paraqesë kundërargumente ndaj konstatimeve paraprake dhe pretendimeve që i konsideron të pasakta.
Vietnami dhe SHBA-ja po negociojnë prej më shumë se një viti për një marrëveshje tregtare, por ende nuk kanë nënshkruar një të tillë.
Singapori kundërshtoi argumentet e Uashingtonit për vendosjen e një tarife prej 20% ndaj mallrave të tij, e cila mund të ulet në 10% nëse palët arrijnë një marrëveshje tregtare.
Ministria e Tregtisë e Singaporit argumentoi se vendimi, i bazuar në suficitin tregtar global të vendit, nuk merr parasysh natyrën e ekonomisë së tij të hapur dhe të orientuar nga tregu.
Autoritetet theksuan se SHBA-ja ka pasur suficit tregtar me Singaporin gjatë 20 viteve të fundit, i cili vitin e kaluar u rrit nga 27 në 33 miliardë dollarë.
Zëvendësministri i Financave i Malajzisë, Liew Chin Tong, deklaroi se tarifa prej 18% ndaj vendit të tij ishte pasojë e varësisë së madhe të ekonomive botërore nga SHBA-ja si konsumatori i instancës së fundit.
Edhe Koreja e Jugut, ndaj së cilës është vendosur një tarifë 15%, kundërshtoi pjesë të raportit amerikan, veçanërisht ato që lidhen me industrinë e prodhimit të çipave të avancuar.
Autoritetet koreano-jugore argumentuan se industria e tyre është zhvilluar mbi bazën e konkurrueshmërisë teknologjike dhe kërkesës globale, ndërsa prodhimi është i lidhur ngushtë me zinxhirët amerikanë të furnizimit.
Ndërkohë, tarifat ndaj importeve nga India do të kufizohen në 17% nëse Nju Delhi dhe Uashingtoni arrijnë një marrëveshje tregtare. Në të kundërt, ato do të rriten në 25%.
Negociatat mes dy vendeve u ndërlikuan pasi Trump vendosi tarifa shtesë për shkak të blerjeve indiane të naftës ruse. Në shkurt, palët ranë dakord për një kuadër paraprak të marrëveshjes.
Qeveria indiane ka kundërshtuar vazhdimisht pretendimet amerikane, duke argumentuar se vendi nuk ka mbikapacitete strukturore prodhuese në asnjë sektor të ekonomisë. / FT, AFP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









