Thursday / November 26 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Shqipëria eksporton mbi 80% të naftës bruto, por mbetet e varur nga importet e karburanteve

Share Share Icon

Shqipëria mbetet e varur nga importet e produkteve të përpunuara të naftës, pavarësisht prodhimit vendas të naftës bruto, ndërsa sistemi ekzistues i rezervave të sigurisë mbështetet vetëm pjesërisht në sasi fizike të depozituara brenda vendit.

Raporti i Tregut të Naftës 2026, i publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, evidenton rënien e vazhdueshme të prodhimit vendas, përqendrimin e tregut të importit dhe shitjes me shumicë, si dhe nevojën për krijimin e rezervave strategjike nën administrimin e shtetit.

Sipas të dhënave të Eurostat, prodhimi shqiptar i naftës bruto ra nga 712 mijë tonë në vitin 2021 në 575 mijë tonë në vitin 2025, sipas vlerësimeve paraprake. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), të cilat nuk përfshijnë prodhimin nga disa vendburime të administruara drejtpërdrejt nga Albpetrol, tregojnë një rënie nga 652 mijë në 510 mijë tonë gjatë së njëjtës periudhë.

Bankers Petroleum përbënte rreth 94% të prodhimit të raportuar nga AKBN në vitin 2025. Gjatë periudhës 2015-2025, 80.8% e naftës bruto të tregtuar u eksportua, kryesisht drejt Spanjës dhe Italisë.

“Prodhimi vendas i naftës bruto ka vetëm një lidhje të kufizuar të drejtpërdrejtë me furnizimin me produkte të naftës në Shqipëri: vendi mbetet i varur nga importet e karburanteve të përpunuara, pavarësisht burimeve të tij të naftës”, thuhet në raport.

Nafta dizel dominon tregun shqiptar, duke përbërë 62% të strukturës së produkteve të naftës në vitin 2024, e ndjekur nga gazi i lëngshëm i naftës (LPG) me 16%, benzina me 8% dhe produktet e tjera me 14%. Raporti evidenton gjithashtu përqendrimin e tregut të shitjes me shumicë. Sipas vlerësimit të fundit të detajuar të Autoritetit të Konkurrencës, në vitin 2021 Kastrati dhe Gega Oil zotëronin së bashku 61% të tregut të shitjes me shumicë të naftës dizel dhe 59% të benzinës.

Me përfshirjen e Europetrol Durrës Albania, pesha e tre operatorëve më të mëdhenj arrinte përkatësisht në 71% dhe 70%. Raporti nënvizon se nuk janë publikuar të dhëna më të fundit të krahasueshme për pjesët e tregut të shitjes me shumicë. Në tregun e pakicës, Shqipëria numëron rreth 1,400 pika karburanti, prej të cilave 34% administrohen nga tre operatorët kryesorë. Kriza e furnizimit nga Lindja e Mesme në vitin 2026 vuri në provë sistemin shqiptar të rezervave. Nga detyrimi për mbulimin e 90 ditëve të importeve mesatare ditore neto, vetëm 30 ditë kërkohet të mbahen si rezerva fizike në Shqipëri, ndërsa 60 ditët e tjera mund të mbulohen nëpërmjet marrëveshjeve kontraktuale.

Sekretariati thekson se këto marrëveshje nuk duhet të konsiderohen automatikisht ekuivalente me rezervat e përcaktuara nga direktiva europiane, e cila kërkon që rezervat fizike të jenë të identifikueshme, të disponueshme dhe të aksesueshme.

Projektligji për rezervat minimale të sigurisë së naftës, i përcjellë në Kuvend, parashikon kalimin nga sistemi ku detyrimi për mbajtjen e rezervave u ngarkohet kompanive të naftës në një sistem të drejtuar nga shteti. Paralelisht, qeveria shqiptare dhe kompania italiane Eni kanë nisur një studim fizibiliteti për krijimin dhe administrimin e rezervës strategjike kombëtare të hidrokarbureve dhe të një qendre energjetike./N.Maho

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Katër ditë pushim, nga 55 në 2,700 euro; Ku do të udhëtojnë shqiptarët për festat e Nëntorit?

Nga një fundjavë në Korçë për 55 euro, te katër ditë në Paris për afro 600 euro apo një udhëtim në Tajlandë për 2,700 euro, festat e Nëntorit kanë ...

6 hours më parë 7 Min Lexim

Gjysma e apartamenteve me qira në Tiranë janë më të shtrenjta se 660 euro/muaj, çmimet për 56 zona

Qiraja mediane e apartamenteve në Tiranë për muajin nëntor 2026 ka arritur në 660 euro në muaj. Të dhënat janë përllogaritur nga platforma e pavaru...

6 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!