Ish-mesfushori i Juventusit, Angelo Di Livio, ka analizuar situatën e bardhezinjve dhe nevojën për të rikthyer një grup të fortë lojtarësh italianë, që të përcjellin vlerat dhe mentalitetin e klubit.
“Ciklet fituese të Juventusit janë ndërtuar gjithmonë rreth një bërthame lojtarësh italianë. Mentaliteti i duhur nuk krijohet brenda një dite. Juventusi duhet të gjejë mënyrën për të rindërtuar një grup, mundësisht me italianë, që t’u transmetojë të ardhurve vlerat dhe mentalitetin e duhur”, – deklaroi ai për “La Stampa”.
Për sulmin, Di Livio sugjeroi dy emra: “Mendoj se Sorloth ose Scamacca mund ta plotësojnë siç duhet repartin ofensiv. Do të më pëlqente veçanërisht norvegjezi në Torino. Ka përvojë ndërkombëtare dhe karakteristikat që i duhen Spallettit”.
Sa i përket “Europa League”, ai ishte i prerë: “Duhet të jetë objektiv prioritar. Fitimi i këtij trofeu do të ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm sepse siguron një vend në Champions, por edhe për të konsoliduar statusin ndërkombëtar të klubit”.
Në fund, mbështeti Spallettin: “Jam kundër ndryshimit të trajnerit. Duhet parë situata në tërësi, sidomos dëmtimet e shumta dhe të rënda që kanë prekur Juventusin që në fillim të sezonit”.







