Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në Kuvend për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe arrestimet gjatë tubimeve të opozitës. Berisha deklaroi se asnjë prej qytetarëve të plagosur gjatë protestave nuk ka kryer veprime të jashtëligjshme, ndërsa iu drejtua kryetarit të Kuvendit me kërkesën për të tërhequr nga rendi i ditës ligjin për tubimet.
Sipas Berishës, gjykatat kanë shpallur të paligjshme arrestimet e protestuesve, me përjashtim të katër rasteve. Ai kërkoi që ligji të mos shqyrtohet deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi, siç tha, studentët e kanë çuar çështjen për shqyrtim në këtë institucion.
“U them shqiptarëve se në mënyrë absolute, asnjë prej atyre që ka marrë plumbin në ballë, në gojë, pas veshit, breshëri në trup, iu janë thyer kockat, nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme. Gjykata i ka shpallur të gjitha të paligjshme arrestimet, përveç katër.
Do të hysh në histori, anuloje ligjin për tubimet. Studentët e kanë çuar në Kushtetuese këtë çështje. Hiqe nga rendi i ditës dhe të presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të ketë alternativë tjetër. Nuk kanë faj qytetarët që ju mbroni vjedhjet. Fundi juaj është i afërt, i fundit flet sovrani!”, tha ai.






