Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PS-së, Spiropalit i ndryshojnë karrigen në Kuvend, zhvendoset në krahun e opozitës
Dy ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetes Elisa Spiropali i është ndryshuar vendi në sallën e Kuvendit.
Karrigia e saj është zhvendosur tashmë pas deputetëve të pavarur, në krahun ku qëndron opozita.
Ndërkohë, Spiropali nuk është paraqitur në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Përjashtimi i saj nga grupi parlamentar i PS-së u vendos të martën, më 24 nëntor, gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura.
Vendimi u konfirmua për mediat nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili deklaroi se përjashtimi ishte bërë në përputhje me rregulloren e brendshme të grupit.
“Do të keni dokumentacionin që do t’i vihet në funksion Kuvendit lidhur me këtë vendimmarrje, që është në zbatim të rregullores së grupit parlamentar dhe u njoftua sot edhe në grup”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se i vinte keq që, pas nëntë vitesh, grupi parlamentar kishte arritur në një vendimmarrje të tillë.




