Kirurgu i njohur dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, është ndarë nga jeta këtë të enjte, në moshën 76-vjeçare. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi në seancën plenare të Kuvendit mbajtjen e një minute heshtjeje në nderim të ish-kolegut të tij.

Përmes një postimi në Facebook, Balla shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut.

“U kujdes gjithë jetën për shëndetin e të tjerëve, por sot zemra i pushoi përgjithmonë mjekut të madh dhe kolegut të veçantë Ylli Ziçishti. U prehsh në paqe, Ylli ynë”, shkroi Balla.

I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, me origjinë nga fshati Ziçisht i Devollit, Ylli Ziçishti ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës profesionit të mjekut. Ai u specializua në kirurgji vaskulare dhe kreu kualifikime profesionale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimisht shërbeu si mjek në Tepelenë, ndërsa më pas vijoi karrierën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku për 16 vite mbajti detyrën e shefit të Urgjencës.

Në vitin 2013, Ziçishti iu bashkua politikës aktive, duke u zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës. Ai përfaqësoi zonën e Devollit në Kuvend gjatë legjislaturës 2013–2017.

Jeta e tij u shënua edhe nga persekutimi gjatë regjimit komunist. Ylli Ziçishti ishte djali i Mihallaq Ziçishtit, ish-zyrtar i lartë i regjimit komunist, dhe nipi i Llambi Ziçishtit, ish-ministër i Shëndetësisë, i ekzekutuar në vitin 1983.

Pas goditjes së familjes së tij nga regjimi në fillim të viteve ’80, ai u internua fillimisht në Koman dhe më pas në Dukagjin.

Ylli Ziçishti ishte baba i dy fëmijëve, Fisnikut dhe Kristinës.