Kompania franceze AKUO Energy SAS shpallet fituese e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se kompania franceze AKUO Energy SAS shpallet fituese e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW.
Në njoftim thuhet se është përmbyllur me sukses ankandi i parë të energjisë nga era në Republikën e Kosovës, duke shpallur fituese kompaninë franceze AKUO Energy SAS, me kapacitet të ofruar prej 98 MW dhe me çmim prej 75.94 euro për megavatorë (MWh).
“Çmimi fitues është 5.31% më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Në fazën e parë të këtij ankandi ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova. Pas përfundimit të vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare, si dhe kalimit të afatit për ankesa, gjatë të cilit nuk është pranuar asnjë ankesë, kompania AKUO Energy SAS është shpallur zyrtarisht fituese e ankandit, me çmimin më të ulët të ofruar”, thuhet në njoftim.
Realizimi i këtij projekti pritet të sjellë një investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë, duke shtuar kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Tutje bëhet e ditur se pas suksesit të ankandit të parë solar prej 100 MW, përmbyllja e suksesshme e ankandit të parë të erës shënon një tjetër hap të rëndësishëm në realizimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe dëshmon interesimin e investitorëve ndërkombëtarë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë.
“Hapi i radhës në këtë proces është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e këtij investimi.
Ankandi i parë i energjisë nga era është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev - Luxembourg Development Cooperation Agency”, thuhet tutje. /Telegrafi/





























