Policia e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Vincesk Pirolin, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në Vaun e Dejës. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, ndërsa sqaron se është lëshuar dhe një urdhër arrest për Kristian Ymerin.

Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, duke e kaluar në arrest shtëpie. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Piroli mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Frrok Lleshajt. Ky i fundit u vra në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ndërsa po lëvizte pranë banesës së tij, ndërsa dyshohet se krimi është kryer për interes.

Vrasja e 65-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e 4 gushtit 2025 dhe autorët ende nuk janë identifikuar publikisht. Ndërkohë, emri i Vincesk Pirolit është përmendur edhe në një tjetër dosje kriminale. Ai u arrestua në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Më 19 nëntor, Apeli ndryshoi masën e sigurisë për të, duke e kaluar në arrest shtëpie.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Frrok Lleshajt vijojnë, ndërsa pritet të mësohen detaje të tjera mbi dyshimet që kanë çuar policinë drejt nxjerrjes së urdhrit të ndalimit për Pirolin.

NJOFTIMI
Zbardhet dhe dokumentohet vrasja me armë zjarri e shtetasit F. Ll., e ndodhur më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram. Gjykata cakton masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas, të dyshuar për kryerjen e vrasjes në bashkëpunim. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më 04.08.2025, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. Ll., kanë vijuar veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të autorëve të dyshuar.

Në bazë të provave të siguruara gjatë hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit K. Y. (Sh.) dhe V. P., të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Shtetasi K. Y. (Sh.) është aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa shtetasi V. P. ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për një vepër tjetër penale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb