Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë, duke sekuestruar 66 kilogramë e 742 gramë marijuanë. Në pranga kanë përfunduar tre të rinj shqiptarë, nga një zonë e Sarandës.

Operacioni u zhvillua nga oficerët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare të Filatit.

Gjatë kontrolleve, policia ndaloi fillimisht një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar. Brenda tij u gjetën dhe u sekuestruan 60 pako me marijuanë, me peshë totale 66 kg e 742 gramë.

Më pas, në një tjetër vend u ndalua edhe një automjet i dytë, në të cilin udhëtonin dy shqiptarë. Sipas hetimeve, ata shërbenin si pararojë për automjetin e ngarkuar me drogë, duke informuar drejtuesin e tij për kontrollet e mundshme të policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan të dy automjetet, 1,130 euro dhe katër telefona celularë. Në kërkime u angazhuan edhe qentë e policisë, të identifikuar me emrat “IKARUS” dhe “JERRY”.

Tre të arrestuarit, së bashku me dosjen e çështjes, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë.

Ndërkohë, gjatë muajve të fundit vihet re një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Sipas të dhënave të raportuara, në 15 muajt e fundit policia greke ka sekuestruar rreth 1.5 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me linjën e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës, e cila rezulton ndër itineraret më të përdorura. Në një prej operacioneve të zhvilluara në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të ngarkuar me drogë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb