Një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913 në Dhërmi të Himarës. Lidhja me rrënjët, ishte e pandashme edhe në veprat e tij ku pasqyroi përjetimet nga fëmijëria, siç është autobiografia “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët).

 

“Në të gjitha veprat e Petro Markos, ai nuk e shkëput Dhërmiun dhe njerëzit e Dhërmiut, se janë shqiptarë, se ne e kemi në gjak patriotizmin, dashurinë, dashurinë për njeriun, për njëri-tjetrin.”, tha kushëriri 94-vjeçar i Petro Markos, Kiço Marko.

Në 113-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, zëri më i veçantë i letërsisë shqiptare u kujtua në vendlindjen e tij, në Himarë, përmes emocioneve të atyre që e njohën nga afër, si këto episode që kujton e bija:

“Babi ka qenë notar shumë i mirë dhe mua më ka mësuar këtu notin, në Dhërmi. Ai kur hidhej në det..unë kisha frikë sepse vononte shumë brenda në ujë. Pastaj dilte diku dhe kështu më duket dhe jeta e tij. Sikur ai u zhyt, duket sikur humbi pastaj ai frap, del dhe më madhështor nga dallgët dhe stërkalat e ujit dhe drita.”, rrëfeu e bija e shkrimtarit, Arianita Marko.

Pjesën më të madhe të jetës Petro Marko e kaloi në Tiranë ku punoi si shkrimtar dhe gazetar. Në vitin 1936 shkoi si vullnetar në Luftën Civile të Spanjës, ku luftoi kundër fashizmit. Jetoi në Francë dhe Itali për periudha të ndryshme gjatë emigrimit dhe veprimtarisë së tij antifashiste, përvoja të reflektuara në romanet “Hasta la Vista” i cili u censurua nga regjimi, dhe “Nata e Ustikës”.

“Petro Marko. Kush ishte? Një njeri që zor ta gjesh në botë. Që kur ka lindur, fëmijë i zbathur me mushkën, që punonte, deri në luftën e Spanjës.”, kujton kushëriri i tij, Kiço Marko.

Pas kthimit në Shqipëri, u burgos gjatë regjimit komunist. Petro Marko u shua në Tiranë më 27 dhjetor të vitit 1991 në moshën 78-vjeçare.

“Babi kur ishte gjallë u dënua, iu hoq e drejta e botimit, u hoq nga lidhja e shkrimtarëve, ju hoqën librat nga qarkullimi dhe është dënimi më i rëndë për një autor, sepse është më keq sa burgu. Por babi ishte një njeri që e donte vendin e tij, që luftonte për lirinë, që donte njeriun.”, thotë e bija e Petro Markos.

Përmes mjeshtërisë së interpretimit, aktorët Ndriçim Xhepa dhe Raimonda Bulku sollën botën e shkrimtarit. 

Në vitet e fundit të jetës, teksa ndodhej i shtruar në spital Petro Marko dha një intervistë televizive, e vetmja që ruhet deri më sot, e kërkuar në atë kohë me insistimin e vajzës, për ta mbajtur si një dëshmi filmike të jetës së tij. Edhe në prag të vdekjes, shkrimtari foli për përballjen me pushtetin dhe ndërhyrjet e regjimit në veprat e tij. Kjo intervistë, u risoll në dokumentarin “Rroftë jeta”.

“Babi thoshte që e kam jetuar jetën paralel me historinë dhe nëpërmjet jetës del historia e Shqipërisë.”, vijon Arianita Marko.

Të afërm e të njohur që patën fatin të prekin rrugëtimin e Petro Markos e të njihen me veprën e tij, bënë homazhe pranë varrit të tij, në Dhërmi, në respekt të amanetit të shkrimtarit për t'u kthyer atje ku pati gjithmonë zemrën e tij: në vendlindje!