Policia ka shpallur në kërkim Vinçesk Pirolin, në kuadër të hetimeve për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi. Lajmi bëhet me dije nga gazetarja e Top News Kleida Muka. 

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie. Piroli ishte arrestuar më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.

Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Pirolin, duke e kaluar nga arresti në burg në arrest shtëpie. Ai kishte qëndruar 38 ditë në paraburgim. Frrok Lleshi, 65 vjeç, u vra më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Shkodrës. Ish-efektivi u qëllua për vdekje me armë zjarri, ndërsa një nga pistat e hetimit ishte ajo e hakmarrjes së mundshme.