Festat e Nëntorit kanë marrë një tjetër atmosferë në qytetin e Gjirokastrës. Shkolla “Pandeli Sotiri”, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Gjirokastër, ka organizuar një aktivitet festiv në nder të datave të rëndësishme historike të 28 dhe 29 Nëntorit.
Protagonistë të kësaj feste kanë qenë fëmijët, të cilët përmes këngëve patriotike, valleve popullore dhe interpretimeve artistike kanë përcjellë emocionet dhe krenarinë për festat kombëtare.
Me flamuj kuq e zi, veshje tradicionale dhe shumë entuziazëm, nxënësit kanë sjellë një atmosferë të veçantë festive, duke e kthyer këtë aktivitet në një moment gëzimi, por edhe edukimi për brezat e rinj.
Përmes këtyre aktiviteteve, shkolla synon të mbajë gjallë traditat, të përcjellë historinë dhe të kultivojë tek fëmijët dashurinë për atdheun dhe simbolet kombëtare.
Një festë ku zëri i fëmijëve, kënga dhe vallja u bënë pjesë e bukur e atmosferës së Nëntorit në qytetin e gurtë.




























