Një shpërthim i fuqishëm i shoqëruar me zjarr ka përfshirë një rafineri në Bangkok të Tajlandës, duke lënë të plagosur të paktën nëntë persona. Pas incidentit, autoritetet u kërkuan banorëve të zonës të largoheshin përkohësisht nga banesat e tyre, deri në shuarjen e flakëve. Sipas CNN, shumica e të plagosurve kanë pësuar djegie, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike, sipas të dhënave të Qendrës Mjekësore Erawan në Bangkok.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen mbi zonën ku ndodhet rafineria, në pjesën lindore të kryeqytetit tajlandez. Një alarm i dërguar në telefonat celularë të banorëve njoftoi se incidenti kishte ndodhur rreth orës 15:00, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangnin zonën. Më pak se një orë më vonë, autoritetet e qytetit njoftuan se zjarri ishte shuar.

Pas normalizimit të situatës, banorëve iu dha leja të ktheheshin në banesat e tyre. Megjithatë, autoritetet këshilluan qytetarët që jetojnë brenda një rrezeje prej pesë kilometrash nga rafineria të tregohen të kujdesshëm për shkak të ndotjes së mundshme të ajrit. Shkaku i shpërthimit dhe zjarrit mbetet ende i paqartë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: