PD ka çuar në Gjykatën Kushtetuese reformën territoriale. Selia blu kërkon shfuqizimin e saj dhe pezullimin e ligjit për ndarjen administrativo-territoriale të vendit.
Sipas kreut të grupit parlamentar Bardhi, ligji është miratuar pa shumicën e kërkuar kushtetuese, pasi, sipas pretendimeve të opozitës, pavlefshmëria e tri votave e lë atë pa 84 votat e nevojshme në Kuvend.
Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, PD ngre gjithashtu pretendimin se procesi i reformës ka shkelur detyrimin për konsultimin me komunitetet vendore. Sipas padisë, në 41 nga 61 bashkitë e vendit nuk është dokumentuar mendimi i banorëve për ndryshimet territoriale.
Bardhi tha gjithashtu se reforma shkel Nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, i cili parashikon konsultimin paraprak me komunitetet e prekura nga ndryshimet në kufijtë territorialë të njësive të qeverisjes vendore.