Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, është përballur në Kuvend me pyetje dhe akuza nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me ndërhyrjet e policisë gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë.
Tabaku i kërkoi ministrit të japë shpjegime për mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së forcave të policisë gjatë tubimeve. Ajo ngriti gjithashtu pyetjen se kush ishin personat civilë që, sipas saj, kishin tërhequr zvarrë qytetarët gjatë protestave.
“Zoti Demo, ju kam nisur një shkresë sa i përket shpërndarjes së policisë në protesta. Keni refuzuar t’i përgjigjeni kësaj kërkese. Cilët ishin civilët që tërhoqën zvarrë qytetarët e Tiranës? A keni dijeni për Kartën e të Drejtave të Njeriut, ku detyrohet policia të ushtrojë proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve?”, e pyeti Tabaku.
Edhe Agron Shehaj kërkoi përgjegjësi nga ministri për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve. Ai përmendi rastin e të riut Enea, për të cilin tha se ishte dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1, si dhe pretendoi se dhjetëra të rinj janë dëmtuar gjatë ndërhyrjeve të policisë dhe shoqërimeve në komisariate.
“Zoti ministër, faleminderit që erdhët, sepse kemi kohë që ju kërkojmë. Një djalë i ri, Enea, është dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1. Zoti ministër, a mbani ju përgjegjësi për dhunën? Janë me qindra të rinj dhe të reja që u kanë thyer kockat, hundët, nëpër komisariate dhe furgona. Pse nuk mbani përgjegjësi? Ku jeni ju, të njëjtët që i dhunojnë në rrugë dhe më pas u shkojnë në komisariate dhe i kërcënojnë? Do të mbani përgjegjësi, sepse dhunën nuk e ushtrojnë ata, por ti dhe Edi Rama, kjo maxhorancë”, deklaroi Shehaj.
Në përgjigjen e tij, ministri i Brendshëm tha se nuk mund të japë shpjegime për raste individuale pa përfunduar verifikimet dhe hetimet nga institucionet përkatëse. Demo pretendoi se gjatë protestave janë sulmuar institucione shtetërore, Policia e Shtetit, gjykata, Banka e Shqipërisë dhe biznese private.
Ai deklaroi se policia ka ndërhyrë për të ruajtur rendin dhe për të zbatuar ligjin, ndërsa theksoi se reagimi i saj duhet të jetë proporcional.
“Për pyetje specifike që lidhen me rrethanat e individëve të caktuar, nuk mund të jap përgjigje konkrete, sepse duhet të hetohen. Më vjen keq që zgjedhim vetëm një pjesë të asaj që ne shohim. Do të ishte e pafalshme për një parti politike që nuk dënon dhunën dhe për ditë të tëra nuk ka thënë asnjë fjalë për atë që ndodhi prej disa ditësh në Tiranë”, u shpreh Demo.
Ministri bëri të ditur se gjatë protestave janë pezulluar nëntë punonjës policie, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po shqyrton 50 raste në rrugë administrative. Sipas tij, AMP-ja dhe Policia e Shtetit po bashkëpunojnë gjithashtu me prokurorinë për rastet e regjistruara lidhur me aktet e dhunës.
“Patjetër që ka pasur raste kur persona, të cilët kanë kryer akte dhune, janë shoqëruar. Patjetër që ka pasur reagim nga forcat e policisë për të ruajtur rendin kushtetues dhe zbatuar ligjin. Sepse ajo është detyrë e Policisë së Shtetit. Kur ka shkelje të ligjit, duhet të veprojë në proporcionalitet dhe absolutisht ju garantoj që qëndrimi im si ministër i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën e parë, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin dhe të tregojë masa proporcionale në reagim. Në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura”, deklaroi ai.
Demo theksoi se e drejta për të protestuar duhet të garantohet, por sipas tij, tubimet duhet të zhvillohen pa dhunë ndaj individëve, pronës private, policisë dhe institucioneve shtetërore.
“Unë jam me të gjithë qytetarët të cilët protestojnë paqësisht dhe ju garantoj që si ministër i Brendshëm, me të gjitha mekanizmat që kam në dispozicion, do të garantojmë këtë të drejtë”, tha ministri.
Në fund të fjalës së tij, Demo iu drejtua opozitës me pyetjen nëse Partia Demokratike kishte dijeni apo ishte e përfshirë në organizimin e grupeve që, sipas tij, kishin ushtruar dhunë në Tiranë.