Një shtetas shqiptar është mbajtur për rreth 20 ditë në Qendrën e Ndalimit për Riatdhesim (CPR) në Bari të Italisë, ndonëse kishte hyrë në vend në mënyrë të rregullt me pasaportë biometrike.

Rasti, i cili dyshohet se ka ardhur si pasojë e një ngatërrimi identiteti, është raportuar nga gazeta italiane La Repubblica.


Sipas raportimit, gjithçka nisi më 26 shkurt 2026, kur shqiptari u ndalua në rajonin e Modenës dhe u shoqërua në polici për verifikime.

Edhe pse autoritetet kishin në dispozicion pasaportën e tij, në dokumentet zyrtare u shënua se ai qëndronte ilegalisht në Itali që nga viti 2014.

Në pasaportën biometrike të shqiptarit, megjithatë, figurohej qartë vula e hyrjes në Itali më 16 shkurt 2026, për qëllime turistike.

Dyshohet se autoritetet e kanë ngatërruar me një person tjetër që kishte të njëjtin emër dhe mbiemër dhe që, sipas të dhënave të policisë, kishte hyrë në Itali në vitin 2014.

Pavarësisht dokumentacionit, ndaj tij u nxor urdhër dëbimi dhe ai u dërgua në qendrën e ndalimit në Bari-Palese.

Më 27 shkurt, Gjykata e Paqes në Bari e kishte konfirmuar masën e ndalimit.

Çështja mori një kthesë pas ndërhyrjes së avokates Uljana Gazidede, e cila kërkoi kopjen e pasaportës nga qendra e ndalimit dhe paraqiti kërkesë për rishqyrtimin e rastit, duke dëshmuar se shqiptari kishte hyrë në Itali në mënyrë të rregullt.

Pas shqyrtimit të dokumenteve, Gjykata e Paqes në Bari urdhëroi lirimin e tij, pasi u konstatua se kishte prova për hyrjen e ligjshme në vend.

Megjithatë, mbetej ende në fuqi vendimi për dëbimin. Për këtë arsye, u paraqit ankesë në Gjykatën e Paqes në Modena, e cila më 23 tetor vendosi ta anulonte urdhrin e dëbimit.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se dokumentet dëshmonin hyrjen e shqiptarit në Itali më 16 shkurt 2026, ndërsa autoritetet nuk kishin paraqitur prova që ai ishte i njëjti person që dyshohej se kishte hyrë në vitin 2014.

Sipas legjislacionit përkatës, shtetasit shqiptarë që posedojnë pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në hapësirën Schengen deri në 90 ditë pa vizë.

Në momentin e marrjes së vendimit për dëbim, shqiptari ishte ende brenda këtij afati.

Avokatja Gazidede e ka cilësuar rastin si një ngatërrim të mundshëm të personave, duke theksuar se verifikimi i një date në pasaportë do të kishte mjaftuar për të shmangur gjithë këtë situatë.

Sipas “La Repubblica”, shqiptari është privuar nga liria për rreth 20 ditë dhe i është dashur të presë rreth tetë muaj për të marrë një vendim që konfirmonte të drejtën e tij për të qëndruar në Itali./Telegrafi/