Rritjet e fundit të tarifave doganore nga Shtetet e Bashkuara pritet të përshkallëzojnë tensionet tregtare me Pekinin, duke e kthyer Kinën në objektivin kryesor të përpjekjeve të Uashingtonit për të riorganizuar tregtinë globale, përmes ndëshkimit të “fabrikës së botës” dhe ushtrimit të presionit mbi vendet e tjera.
Tarifat e reja mbeten brenda kufijve të armëpushimit tregtar me Kinën, por SHBA-ja ka lënë hapësirë për masa të tjera, duke rritur rrezikun përpara samitit të katërt të këtij viti mes dy liderëve, i planifikuar të mbahet në Majami muajin e ardhshëm, si dhe skadimit më 10 janar të marrëveshjes së tyre tregtare.
“Nëse lufta tregtare rifillon, masat e fundit i japin SHBA-së disa mjete për t’u kundërpërgjigjur”, tha Mark Williams, kryeekonomist për Azinë në Capital Economics.
“Përqendrimi te Kina në raportet për vendet e treta është një jehonë e përpjekjeve të mëparshme të administratës së dytë Trump për të përdorur ndikimin ekonomik, me qëllim nxitjen e vendeve të tjera që të forcojnë mbrojtjen tregtare dhe të shkëputen nga Kina.”
Administrata Trump tha se kishte në plan të rriste tarifat ndaj Kinës me 20%, mbi tarifat prej 25% të vendosura që në mandatin e parë të presidentit. Ky ishte kufiri për të cilin liderët ranë dakord në kuadër të armëpushimit tregtar, ndërsa një prishje e tij mund t’i çonte tarifat e mandatit të dytë në 40%.
Ministria e Jashtme e Kinës iu përgjigj tarifave të fundit të Trumpit duke hedhur poshtë akuzat për praktika të padrejta industriale, por pa kërcënuar me masa hakmarrëse.
Tarifat e reja vijnë pas një hetimi tetëmujor mbi praktikat e padrejta tregtare, i cili shqyrtoi kapacitetet e tepërta industriale në mbarë botën.
SHBA-ja po ushtron presion të ngjashëm edhe ndaj ekonomive të tjera me të cilat ka marrëveshje tregtare ose me të cilat po negocion, nga Bashkimi Evropian te Japonia dhe disa vende të Azisë Juglindore.
Megjithatë, Kina spikat si objektivi kryesor, pasi SHBA-ja kritikon partnerët për përpjekjet e pamjaftueshme për të kufizuar importet dhe investimet nga një fuqi rivale globale, suficiti tregtar i së cilës pritet të tejkalojë ndjeshëm shifrën prej 1 trilion dollarësh për të dytin vit radhazi.
Raporti i Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së për Vietnamin e përmend Kinën më shumë se 250 herë, ndërsa gjetjet për BE-në e përmendin atë më shumë se 300 herë.
Siç u pa pas asaj që Uashingtoni e quajti “Dita e Çlirimit”, kur SHBA-ja rrit tarifat ndaj Kinës – në masën e fundit me rreth 7.5 pikë përqindjeje – deficiti i saj tregtar me Pekinin zvogëlohet, ndërsa deficitet e ekonomive të tjera me Kinën zgjerohen.
Kjo ushtron presion mbi qeveritë për të mbrojtur industritë dhe vendet e tyre të punës nga një ekonomi kineze që kontribuon më pak në kërkesën globale sesa në ofertën globale, shkruan Reuters.
Kritikët e Pekinit thonë se konsumi i dobët i familjeve kineze dhe varësia në rritje nga eksportet bëjnë që ekonomia e vendit të rritet në kurriz të vendeve të tjera.
“Pamundësia e Kinës për të ristrukturuar ekonominë e saj do të jetë një nxitës edhe më i madh i tensioneve tregtare sesa luhatjet e politikave tregtare jokonsistente të SHBA-së”, tha Viktor Shvets, strateg global në Macquarie Capital.
Ai tha se, ndërsa BE-ja po përballet sot me pasojat më të rënda të çekuilibrave tregtarë të Kinës, i njëjti fat është i pashmangshëm edhe për të gjithë të tjerët.
“Prandaj, presim që si tarifat, ashtu edhe masat jotarifore të shtohen.”
Brukseli, i cili e bindi Pekinin këtë vit të pranonte kuota për disa importe të makinave kineze në BE, planifikon të ndërmarrë masa të tjera tregtare.
Kjo marrëveshje mes BE-së dhe Kinës tregon se Pekini nuk mund të mbajë një qëndrim agresiv tregtar në të gjitha frontet dhe gjatë gjithë kohës, ndërsa priten më shumë kompromise të këtij lloji, tha Bo Zhengyuan, partner në kompaninë konsulente kërkimore Plenum.
“Kina nuk e ka arritur gjithmonë atë që ka kërkuar në tregti”, tha Bo, i cili është i vendosur në qendrën tregtare të Shangait, duke shtuar se Pekini “do të duhet ende të bëjë lëshime” për të arritur një kompromis me partnerët e tij.