“Volodimir Zelenski nuk duhet t’ia lejojë vetes ta sjellë luftën te dera e shtëpisë sonë, sepse Mesdheu është zemra e Europës. Libia është pranë shtëpisë sonë, vetëm disa qindra kilometra larg nesh”: Deklarata i përket zëvendëskryeministrit italian, lideri i partisë Liga, Matteo Salvini, i cili e bëri publik shqetësimin e tij nga sulmet në Libi të marra përsipër nga Kievi. “Të shkosh e të bombardosh anije të ankoruara në portet libiane, përballë Italisë, është një veprim jo shumë inteligjent dhe aspak konstruktiv, i cili nuk i shërben aspak afrimit të paqes. Dhe kjo vjen nga një vend të cilin ne po e mbështesim ekonomikisht, humanitarisht dhe ushtarakisht”, u shpreh Salvini. “Ato armë t`i përdorë për të mbrojtur popullsinë dhe jo për të fundosur anije në Mesdhe, shtoi ai. Zelensky konfirmoi më 23 nëntor se Ukraina kishte sulmuar dy anije ruse pranë brigjeve libiane, duke përdorur shtatë dronë detarë. Frika e një përshkallëzimi të situatës u reflektua qartë edhe në vendimin e Polonisë për të vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën një zonë ndalim-fluturimi brenda territorit polak. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, u tha gazetarëve se një ligj për këtë cështje po përgatitet tashmë nga qeveria dhe pritet të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit. Nisma vjen pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të NATO-s nga ana e Rusisë gjatë luftës së saj kundër Ukrainës. Polonia u bëri thirrje aleatëve të NATO-s, që të krijojnë një zonë të tillë përgjatë krahut lindor, duke e përshkruar veten si “pioniere” në këtë drejtim, teksa nënvizoi se shembullin e saj po e ndjekin edhe vendet baltike.