Një dhuratë me vlerë mbi 18 miliardë dollarë për fëmijët amerikanë. Kjo është nisma më e fundit e njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, i cili ka vendosur të dyfishojë premtimin e bërë në tetor. Përmes një postimi në platformën X, miliarderi njoftoi se aksioni i parë do të transferohet në dhjetor, ndërsa i dyti, nga pasuria e tij personale, në qershor të vitit 2027, kur të përfundojë periudha e kufizimit për shitjen e aksioneve të tij. Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 73 milionë fëmijë nën moshën 18-vjeçare. Me çmimin aktual të një aksioni të SpaceX prej 127 dollarësh e 44 centësh, secili prej tyre mund të përfitojë rreth 255 dollarë. Kompania ka konfirmuar zyrtarisht se do të dhurojë aksione përmes llogarive aktive të programit “Trump Accounts”, një nismë e administratës amerikane që synon t'u mundësojë fëmijëve krijimin e kursimeve dhe investimin në bursë që në moshë të hershme. Megjithatë, ende nuk është sqaruar se si do të përfitojnë fëmijët që nuk kanë një llogari të tillë. Musk i ka këshilluar përfituesit të mos i shesin aksionet, duke shprehur bindjen se vlera e SpaceX mund të rritet jashtëzakonisht nëse kompania realizon ambiciet e saj për kolonizimin e planetëve të tjerë dhe shfrytëzimin e energjisë diellore në hapësirë. SpaceX debutoi në bursë në qershor të këtij viti, duke siguruar 85,7 miliardë dollarë. Sipas analistëve financiarë, nisma e Musk mund të krijojë një brez të tërë aksionerësh të rinj amerikanë, duke i bërë ata pjesë të ekonomisë së së ardhmes.