Deputeti Ulsi Manja tha se akti normativ për tubimet nuk ndëshkon protetsën paqësore, por aktet e dhunës që duhet të marrin ndëshkim. Manja tha se jo vetëm protesta në tetor, por edhe ajo e qershorit e organizuar nga “flamingot” ka qenë edhe më e dhunshme, me linçime publike ndaj qytetarëve që nuk iu bashkuan tubimeve. Ironi pati edhe me opozitën për protestën e thirrur me 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, së cilës opozita ka deklaruar se do t’i bashkohet. “Ne e kemi Ditën e Pavarësisë, po ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit”, iu tha Manja demokratëve.

“Nuk ndëshkohet protesta paqësore, por dhuna. Protestat e qershorit kanë qenë më të dhunshme, sepse u shoqëruan me dhunë psikologjike, me linçim publik, personal dhe familjar të kujtdo që nuk mendonte si protestuesit. Një grusht njerëzish i dhanë të drejtë vetes të përcaktonin se kush ishte patriot dhe kush ishte armik, kush duhej të jetonte dhe kush duhej të vdiste.

Kësaj gjuhe urrejtjeje, këtij helmi që prodhuan protestat e qershorit, nuk i shpëtoi askush, as personat publikë, as qytetarët e zakonshëm që u distancuan nga protesta, që nuk mendonin si këta që protestonin. Nuk e di nga e morën urdhrin, nga lart mbase, që këta ishin shumica në këtë vend.

Protesta si ato të qershorit dhe të tetorit dështuan, sepse qytetaria e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është dakord me dhunën në këtë vend. Edhe për atë të paralajmëruar më 28 nëntor, këtu do të jemi dhe do ta shohim nëse qytetari do t’i bashkohet apo nuk do t’i bashkohet. Ju doni ta ktheni në ditën e përçarjes. Ne e kemi Ditën e Pavarësisë, po ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit. ”, tha Manja.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PD kundër aktit normativ për protestuesit e dhunshëm: Anti demokratike, tërhiqeni! PS: Selia juaj, fabrikë molotovësh! Nuk thatë një fjalë kundër djegies së policëve