TVSH 6%, zbardhet Projektakti Normativ i qeverisë: Nga 1 janari të reflektohet ulje çmimesh me 11.6%

Ndërsa sot në seancën e Kuvendit të Shqipërisë po diskutohen për miratim projektligjet e Paketës Fiskale, ku një prej çështjeve më të debatuara është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% dhe reflektimi i kësaj mase me ndryshim çmimesh për 54 kategori produktesh ushqimore, qeveria llogarit se nga 1 janari 2027, pas ndryshimeve fiskale ulja e çmimeve duhet të reflektohet me 11.6%.
Ministria e Ekonomisë ka propozuar Projektaktin Normativ për monitorimin e çmimeve dhe garantimin që përfitimi nga ulja e taksës të shkojë te konsumatorët.
Projektakti Normativ, i zbardhur nga Monitor “Për monitorimin e përkohshëm të çmimeve dhe reflektimit të uljes së TVSH-së për produktet ushqimore të shportës bazë”, përcakton se pas hyrjes në fuqi të ligjit të TVSH me 6%, ulja e çmimeve nga supermarketet duhet të reflektohet me 11.6%.
Drafti, ndërkohë përcakton se nëse ulja e çmimit është më e vogël se 10%, kjo do të shërbejë si kriter për nisjen e një
verifikimi administrativ. Gjatë kontrollit do të vlerësohen edhe ndryshimet e dokumentuara të kostove të furnizimit, transportit dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në çmim.
Konkretisht neni 4 i projektaktit normativ, përcakton se operatorët ekonomikë kanë detyrimin të reflektojnë përfitimin fiskal në çmimin efektiv të shitjes, duke filluar nga data e zbatimit të normës së reduktuar.
Projektakti përcakton se reflektimi i plotë i uljes së TVSH-së konsiderohet i realizuar kur çmimi efektiv i shitjes ulet me 11.6% kundrejt çmimit individual të referencës, në kushtet kur çmimi pa TVSH mbetet i pandryshuar.
“Operatori ekonomik, të cilit i zbatohet norma e reduktuar e TVSH-së sipas nenit 2 të këtij akti, ka detyrimin të reflektojë përfitimin fiskal në çmimin efektiv të shitjes së produkteve përkatëse, duke filluar nga data e zbatimit të normës së reduktuar të TVSH-së.
Reflektimi i plotë i përfitimit fiskal konsiderohet i realizuar kur çmimi efektiv i shitjes së produktit ulet me 11.6 për qind kundrejt çmimit individual të referencës, të përcaktuar sipas nenit 3 të këtij akti, në kushtet kur çmimi pa TVSH mbetet i pandryshuar.
Në rastet kur ulja e çmimit efektiv të shitjes së produktit është më e vogël se 10 për qind kundrejt çmimit individual të referencës, kjo përbën kriter për nisjen e verifikimit administrativ nga organi përgjegjës.
Gjatë verifikimit vlerësohen ndryshimet objektive dhe të dokumentuara të kostove të furnizimit, transportit dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në çmim. Shkelja konsiderohet e kryer vetëm kur mosreflektimi rezulton i pajustifikuar pas verifikimit”, përcaktohet në dokumentin e Projektaktit Normativ.
Monitorim i çmimeve gjatë dhjetorit
Një tjetër element i projektaktit është kontrolli i çmimeve përpara hyrjes në fuqi të TVSH-së së reduktuar.
Në nenin 4, pika 4, parashikohet se gjatë periudhës 1–31 dhjetor 2026, rritjet e çmimeve mbi 5% kundrejt çmimit individual të referencës do t’i nënshtrohen verifikimit për të identifikuar rritjet artificiale dhe të pajustifikuara.
Si çmim reference do të përdoret çmimi mesatar efektiv i shitjes së të njëjtit produkt, nga i njëjti operator dhe në të njëjtën hallkë tregtimi, gjatë periudhës 1–31 tetor 2026, sipas nenit 3 të projektaktit.
“Gjatë periudhës 1–31 dhjetor 2026, rritjet e çmimeve të produkteve të përcaktuara në nenin 2 të këtij akti, që tejkalojnë 5 për qind kundrejt çmimit individual të referencës, i nënshtrohen verifikimit nga organet përgjegjëse, me qëllim identifikimin e rritjeve artificiale dhe të pajustifikuara që synojnë shmangien ose kufizimin e reflektimit të përfitimit fiskal.
Rritjet e çmimeve që mbështeten në ndryshime objektive dhe të dokumentuara të kostove nuk konsiderohen, për këtë shkak, rritje artificiale. Verifikimi i të dhënave historike nuk krijon përgjegjësi administrative për veprime të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij akti.
Çdo rast vlerësohet individualisht dhe veçmas për hallkën përkatëse të tregtimit, duke respektuar proporcionalitetin dhe të drejtën e operatorit për të dhënë shpjegime.
Rregullat e hollësishme për krahasueshmërinë e produkteve dhe trajtimin e të dhënave përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë”, citohet në dokument.
Raportim ditor për rrjetet me të paktën 10 pika shitjeje
Projektakti parashikon detyrimin e raportimit elektronik dhe ditor të çmimeve për operatorët që ushtrojnë tregti me pakicë përmes rrjeteve të organizuara me të paktën 10 pika shitjeje në Shqipëri.
Në nenin 5 përcaktohet gjithashtu se operatorët duhet të raportojnë në mënyrë konfidenciale, brenda 24 orëve, ndryshimet e çmimeve të furnizimit, duke paraqitur informacionin dhe dokumentacionin tregtar që i mbështet ato.
Për subjektet që janë pjesë e platformës “Pasqyra e Çmimeve”, shkëmbimi i informacionit mund të realizohet përmes kësaj platforme.
Gjobat deri në 2 milionë lekë për operatorët që nuk reflektojnë uljen e TVSH
Projektakti parashikon gjoba me vlerë deri në 2 milionë lekë për operatorët që nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara në aktin normativ.
Konkretisht, sipas nenit 8:
-Për mosraportimin e çmimeve parashikohet gjobë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë.
-Për paraqitjen e qëllimshme të të dhënave të rreme, gjobë 150 mijë lekë për produkt, deri në 750 mijë lekë.
-Për mosreflektimin e provuar dhe të pajustifikuar të uljes së TVSH-së, gjobë 200 mijë lekë për produkt, deri në 2 milionë lekë.
-Për rritjet artificiale dhe të pajustifikuara të çmimeve gjatë dhjetorit, gjobë 50 mijë lekë për produkt, deri në 300 mijë lekë.
Projektakti përcakton se asnjë gjobë nuk mund të vendoset vetëm mbi bazën e një sinjalizimi automatik apo ankese të pakonfirmuar.
Kontrolli nga Ministria e Ekonomisë, Inspektorati i Tregut dhe Tatimet
Sipas nenit 7, Ministria e Ekonomisë do të koordinojë monitorimin, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të shqyrtojë sinjalizimet dhe do të kryejë verifikimet, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të shqyrtojë dosjet dhe do të marrë vendimin për vendosjen ose jo të gjobave.
Operatorët do të kenë të drejtën të paraqesin shpjegime dhe dokumentacion brenda 3 ditëve nga njoftimi i rregullt.
Në nenin 10 parashikohet që dispozitat e posaçme për reflektimin e uljes së TVSH-së të zbatohen për gjashtë muaj nga data e fillimit të normës së reduktuar.
Gjithashtu, gjatë 15 ditëve të para nga fillimi i zbatimit të TVSH-së së reduktuar nuk do të vendosen gjobat për mosreflektimin e përfitimit fiskal, por detyrimi për uljen e çmimeve do të mbetet në fuqi. Projektakti normativ parashikon hyrjen në fuqi të menjëhershme pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Gjithahstu pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e rrjeteve të supermarketeve, me qëllim përcaktimin e listës së produkteve ushqimore që do të përfshihen në skemën e TVSH-së së reduktuar prej 6%.
Në projektligjin e paketës fiskale propozohet, që produktet ushqimore bazë, si: bukë dhe miell, qumësht dhe kos natyral, vezë, oriz, makarona, vaj ushqimor, mish pule, mish viçi/derri, peshk bazë, fruta të freskëta, perime të freskëta, bishtajore, sheqer, ushqime bazë për foshnja, të trajtohen me shkallë të reduktuar të TVSH-së, prej 6%.
Ndërkohë, lista e detajuar e këtyre produkteve me kodet përkatëse të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Shkalla e reduktuar e TVSH-së aplikohet njësoj, si brenda vendit, ashtu edhe në import.
Objektivi i qeverisë është krijimi i një katalogu të unifikuar me rreth 10 mijë produkte ushqimore që do të përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar në 6%. Për këtë qëllim, produktet do të identifikohen përmes barkodeve dhe do të klasifikohen në sistemet e supermarketeve, në mënyrë që të shmangen paqartësitë për artikujt që përfitojnë nga ulja.
Gjithashtu, synohet koordinimi i të dhënave mes supermarketeve dhe institucioneve shtetërore për të garantuar zbatimin e saktë të skemës.
Por drejtuesit e supermarketeve e konsiderojnë këtë një proces të vështirë për t’u realizuar, për shkak të numrit të madh të artikujve dhe kodeve të ndryshme që qarkullojnë në treg.
Lista e produkteve ushqimore me TVSH 6%, fut në kaos dhe paqartësi supermarketet
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









