Shqipëria mund të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në në vitin 2027. Këtë perspektivë ofroi komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, duke u kërkuar mazhorancës dhe opozitës të bashkojnë forcat për realizimin e reformave.
Duke iu referuar përvojës së saj si sllovene, e rritur në ish-Jugosllavinë komuniste, Kos theksoi rëndësinë e bashkëpunimit politik për t'u dhënë reformave legjitimitet dhe mbështetje të gjerë.
Komisionerja vlerësoi përparimin e Shqipërisë, e cila hapi të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj, ndërsa ka mbyllur katër kapituj. Deri në fund të këtij viti, Brukseli pret mbylljen e një të katërtës së kapitujve. Kos vlerësoi gjithashtu ngritjen e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësi të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, tha Kos.
Në mbledhjen e Këshillit, pjesa e parë e së cilës u drejtua nga Taulant Balla dhe e dyta nga Jorida Tabaku, kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi konsensus për reformat e integrimit, përfshirë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.
“Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE”, tha Balla, duke nënvizuar edhe detyrimin e Kuvendit për të mbikëqyrur zbatimin e reformave dhe garantuar llogaridhënien.
Por, sipas Tabakut, mazhoranca ka dobësuar pikërisht kontrollin parlamentar, ndërsa shqetësimet që ngrihen në Bruksel për pastrimin e parave dhe ndikimin politik mbi drejtësinë nuk diskutohen sa duhet në Kuvend. Deputetja demokrate solli si shembull çështjen e Belinda Ballukut.
“Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, tha Tabaku.
Ajo kritikoi edhe miratimin e ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa paralajmëroi se integrimi nuk duhet të përdoret si fasadë. Duke iu referuar protestave që vijojnë prej ditësh, Tabaku tha se shqiptarët kërkojnë më shumë Europë, institucione të forta dhe sundim të ligjit.
Në takim, Balla i kërkoi komisioneres Kos më shumë mbështetje edhe për integrimin europian të Kosovës ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan një proces integrimi që është më i hapur për qytetarët.
Zgjedhjet e 11 majit 2025, reforma zgjedhore, protestat dhe ligji për zonat e mbrojtura ishin në fokus të diskutimit të deputetes demokrate Ina Zhupa në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, në prani të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Zhupa u kërkoi përfaqësuesve europianë të bazojnë qëndrimet e tyre në raportet zyrtare dhe jo në informacionet që u përcjell qeveria Rama, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohet besimi i shqiptarëve te Bashkimi Europian.
Deputetja akuzoi mazhorancën se nuk ka paraqitur asnjë propozim për adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe se synon ta realizojë reformën zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Ajo kërkoi krijimin e një qeverie tranzitore për garantimin e kushteve të barabarta zgjedhore, si dhe mbrojtjen nga BE-ja të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.
Zhupa i kërkoi gjithashtu komisioneres Kos që shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura të jetë një vijë e kuqe për qeverinë shqiptare, në përputhje me kërkesat e Parlamentit Europian.
Fjala e plotë e Ina Zhupës:
“Në prag të zgjedhjeve lokale, dua t’ju kujtoj se zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk ishin një garë e barabartë demokratike, por një farsë elektorale, ku Edi Rama përdori të gjitha burimet njerëzore, financiare dhe institucionale të shtetit për të siguruar mandatin e katërt. Mbi 4,500 aktivitete të organizuara me burime shtetërore, punësimi i 10 mijë personave në administratë gjatë periudhës së ndaluar, shpërndarja e përfitimeve financiare për pensionistët, fermerët dhe bizneset në prag të votimit, falja e gjobave, legalizimet dhe lejet e ndërtimit u kthyen në instrumente për blerjen dhe kontrollin e votës. Raporti denoncon gjithashtu përfshirjen e të paktën 40 grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në mbështetje të 28 kandidatëve të Partisë Socialiste në 10 qarqe, si dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga e-Albania për qëllime elektorale.
Këto janë disa informacione zyrtare, të cilat ju i keni në dispozicion, dhe çdo qytetar shqiptar pret nga ju të mbani qëndrime bazuar në të dhënat zyrtare dhe raportet e Parlamentit Europian, jo keqinformim të qëllimshëm që ju bën kryeministri Rama dhe zyrtarët e tij. Sepse ndryshe ne rrezikojmë të humbasim besimin e qytetarëve shqiptarë te Bashkimi Europian.
PD ka kërkuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, ndarjen e shtetit nga partia dhe fushë të barabartë loje. Mazhoranca nuk ka sjellë asnjë propozim deri sot për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë, ndërkohë mazhoranca do ta mbyllë komisionin për ta bërë në mënyrë të njëanshme, pikërisht sepse nuk i interesojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se ndryshe do të humbte pushtetin.
Protestat kërkojnë pikërisht një qeveri tranzitore për të garantuar kushtet për zgjedhjet. Qytetarët protestojnë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mbrojtjes së zyrtarëve me imunitet nga drejtësia. Siç e tha edhe kryetari i delegacionit, Gahler, nuk kemi një garë të barabartë dhe do të ishte e udhës të kishim një qeveri tranzitore. Policia ka ushtruar dhunë, siç e solli në vëmendje edhe Tarquini, dhe ju, si përfaqësues të Europës, duhet të jeni në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Shqiptarët protestojnë edhe kundër ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura. Më 14 maj 2026, depozitova projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, me synimin për të rikthyer garancitë ligjore të mbrojtjes së natyrës. Parlamenti Europian nuk e ka kërkuar këtë vetëm një herë, por disa herë. Edhe në rezolutën e 9 korrikut 2025 kishte shprehur shqetësim serioz, ndërsa në qershor 2026 kërkesa u bë edhe më e qartë dhe më konkrete për shfuqizimin e ligjit 21/2024. Ne presim nga ju që ta vendosni këtë si vijë të kuqe për qeverinë dhe t’i qëndroni vendimit të Parlamentit Europian për shfuqizimin e këtij ligji.”

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për reformat që i shërbejnë anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përfshirë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor. Në prani të komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, Balla theksoi se anëtarësimi nuk është vetëm objektiv i qeverisë, por mbarëkombëtar. Ai i kërkoi gjithashtu komisioneres më shumë mbështetje për integrimin europian të Kosovës.
“Në këtë tryezë shikoni përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe kjo është dëshmi e rëndësisë që i kushtojmë procesit të anëtarësimit në BE. Shqipëria është e angazhuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Ky nuk është objektivi i vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve.
Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE. Vullneti ynë politik është i plotë për të çuar përpara reformat, por pika jonë e referimit mbeten vlerat e Bashkimit Europian. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje për modelin që duam të ndërtojmë këtu në vend.
Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus.
Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët.
Kuvendi duhet të jetë jo vetëm institucioni që miraton, por edhe ai që mbikëqyr zbatimin dhe garanton llogaridhënien. Ju kërkojmë më shumë mbështetje edhe për rrugëtimin europian të Kosovës”, tha Balla.

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se Shqipëria ka mundësi të ndjekë në vitin 2027 rrugën e Malit të Zi, i cili është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Kos bëri të ditur se Brukseli pret që Shqipëria të mbyllë një të katërtën e kapitujve të negociatave deri në fund të këtij viti, ndërsa u kërkoi mazhorancës dhe opozitës të bashkëpunojnë për t'u dhënë reformave legjitimitet dhe qëndrueshmëri. Duke iu referuar përvojës së saj në ish-Jugosllavinë komuniste, komisionerja foli edhe për përfitimet që anëtarësimi në BE i ka sjellë Sllovenisë.
“Unë u rrita në një vend komunist që nuk ekziston më. Në ato kohë ne sllovenët vendosëm që të ndiqnim rrugëtimin drejt BE-së. Prandaj unë e kam përvojën, e kam përjetuar se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem komunist. BE na ka sjellë shumë ne sllovenëve.
Ky Këshill ku ndodhem sot, përfaqëson atë që nevojitet për ta ndjekur me sukses dhe për ta çuar përpara rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Do të duhet që rrymat e ndryshme të politikës shqiptare të bashkojnë forcat dhe jo thjesht të zhvillojnë debate për të përmbushur aspiratat tuaja europiane. Dhe nuk kam dyshim që ju keni aspirata europiane. Kjo do t'u japë reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë.
Ky vit që ne po lëmë pas ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë dhe presim që ¼ e të gjithë kapitujve të negociatave të mbyllen deri në fund të këtij viti.
Keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky është themeli për të garantuar besimin e shteteve anëtare të BE-së. Shprehja më konkrete e këtij besimi ishte miratimi nga shtetet anëtare i raportit të vlerësimit të piketave të ndërmjetme për shtetin e së drejtës më herët gjatë muajit maj. Ky ishte një moment historik në negociatat e anëtarësimit. Ju e keni arritur atë me një shpejtësi rekord.
Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësi të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, tha Kos.

Çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pavarësia e drejtësisë, pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit dhe dobësimi i kontrollit parlamentar ishin disa prej shqetësimeve që deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti përpara komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Tabaku,akuzoi mazhorancën socialiste se ka kufizuar hapësirat për diskutimin e çështjeve që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sipas saj, ndërsa në Bruksel ngrihen shqetësime për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe fusha të tjera, në Kuvendin e Shqipërisë këto problematika nuk marrin vëmendjen e duhur dhe qeveria jep gjithnjë e më pak llogari.
Deputetja demokrate solli në vëmendje shqetësimet e Komisionit Europian për përpjekjet për ndikim politik mbi institucionet e drejtësisë, duke u ndalur konkretisht te refuzimi i Kuvendit për të autorizuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“KE konstaton përpjekje për ndikim politik ndaj drejtësisë, përfshirë edhe SPAK. Ka shqetësime për barazinë para ligjit pas refuzimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, deklaroi Tabaku.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja demokrate ishte miratimi i ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ajo përmendi ligjin për investimet strategjike, për shfuqizimin e të cilit qeveria ishte angazhuar me kërkesë të Komisionit Europian.
Duke iu drejtuar komisioneres Kos, Tabaku foli edhe për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një kërkesë të qytetarëve për më shumë Europë dhe sundim të ligjit.
“Ne kemi dërguar letra për këto shkelje dhe ju vini në një moment kur ka një protestë prej shumë ditësh, ku kërkohet më shumë Europë, institucione të forta dhe sundim i ligjit. Për ne kjo është kërkesë për më shumë Europë. Pas çdo pale zgjedhjesh kemi pasur më pak Europë, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate paralajmëroi se procesi i integrimit europian nuk duhet të shndërrohet në një fasadë, ndërsa përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit duhet të shoqërohet me forcimin e institucioneve dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.








Komente
Komento