Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, mbrojti në Kuvend dy akte normative për tubimet dhe për përgjegjësinë për dëmet gjatë protestave, duke theksuar se synimi i tyre është ndëshkimi i dhunës dhe jo kufizimi i protestave paqësore. Ai kundërshtoi pretendimet e opozitës se aktet bien ndesh me Kushtetutën, dhe argumentoi se miratimi i menjëhershëm është i nevojshëm për shkak të rrezikut të përsëritjes dhe përshkallëzimit të dhunës.
Manja rikujtoi se protesta paqësore janë të garantuara nga Kushtetuta që nga rrëzimi i diktaturës, por se duhet të zhvillohen sipas procedurave ligjore. Sipas tij, akte normative përcaktojnë se policia nuk duhet të zgjedhë midis lirisë së protestës dhe sigurisë së qytetarëve, por duhet të garantojë të dyja. Ai theksoi se kritika ndaj qeverisë dhe protesta paqësore nuk janë dhunë, por veprimet që përfshijnë stigmatizim në rrjetet sociale dhe dhunë ndaj pronës publike e private duhet të sanksionohen.
Manja argumentoi se legjislacioni i viteve të kaluara, si ligji i miratuar para 25 vjetësh, nuk i përgjigjet sfidave të reja të vitit 2026, për shkak të rolit të rrjeteve sociale dhe mobilizimit digjital që lehtëson thirrjet për dhunë në kohë reale. Për këtë arsye, një nga aktet parashikon shtesa në ligjin për tubimet të vitit 2021, ndërsa tjetri forcon parimin që “kush dëmton, paguan”.
Në aspekt kushtetues Manja u referua nenit 17, sipas të cilit kufizimet e të drejtave mund të vendosen me ligj për interesa publike ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, dhe nenit 101, që lejon Këshillin e Ministrave të nxjerrë akte në rast nevoje dhe urgjence me kontrollin e Kuvendit dhe miratim brenda 45 ditëve. Ai bëri thirrje për votim të akteve normative.
Duke komentuar protestat e qershorit e tetorit, Manja vlerësoi se ato “dështuan” sepse qytetarët nuk e mbështetën dhunën, dhe përmendi protestën e paralajmëruar më 28 nëntor, duke thënë se do të shihet nëse do të bashkohen qytetarët apo do ta lënë atë në shesh si në qershor. Në fund ai përmendi se iniciativa nuk është e vetme në Europë, duke përmendur raste si Italia, Franca dhe Spanja, ndonëse tha se ndryshimet nuk janë kopjuar mekanikisht.
