Vendi ku u zbulua vila romake në Durrës rrezikon të kthehet në një vend depozitimi mbeturinash.
Shqetësimit të arkeologëve për dëmet që shkaktojnë reshjet e shiut gjatë dimrit i është shtuar edhe rreziku nga hedhurinat e hedhura në zonën e gërmimeve.
Ditët e fundit, në vendin e zbulimit janë hedhur mbetje ndërtimore, si dhe pajisje shtëpiake të dala jashtë përdorimit.
Edhe pse sheshi është i rrethuar nga të gjitha anët me kangjella dhe mure, mungesa për një kohë të gjatë e arkeologëve dhe e ndërtuesve u ka lënë dorë të lirë njerëzve të papërgjegjshëm.
BIRN mësoi se dy muaj më parë projekti i shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” ishte dorëzuar pranë Bashkisë së Durrësit.
“Fondi i parashikuar për zbatim është miratuar në buxhetin e Bashkisë dhe jemi në fazën e procedurës së prokurimit për zbatimin e këtij projekti”, tha një burizm zyrtar për BIRN.
Vendimi i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore dhe i bashkisë për ruajtjen e vilës antike, të zbuluar pas tërmetit të vitit 2019, dhe ndërtimin e shkollës së mesme në të njëjtin shesh ende nuk është zbatuar.
Sheshi ku deri në tërmetin e vitit 2019 ngrihej shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës vazhdon të jetë i shkretë. Gërmimet për themelet e shkollës së re ende nuk kanë nisur.
Edhe ekspedita arkeologjike është pezull për të dytin vit radhazi, në pritje që e gjithë sipërfaqja të vihet në dispozicion të gërmimeve.
Sheshi prej afro 4 000 metrash katrorë, ku pritet të bashkëjetojnë shkolla e ardhshme dhe vila romake, ndodhet mes pallateve të ndërtuara pas vitit 2000.
Vonesa disavjeçare në nisjen e punimeve për rindërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti” i lë të ekspozuara ndaj dëmtimeve mozaikët, termat dhe afresket e zbuluara. Ndërkohë, sheshi ka nisur të përdoret për hedhjen e mbeturinave.







