Në një konferencë për media, Çitaku njoftoi se para dy ditësh ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa të mërkurën ua ka prezantuar atë anëtarëve të grupit strategjik.

Ajo tha se qëllimi i kësaj iniciative është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

“E para, para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës së grupit strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, deklaroi Çitaku.

Ajo theksoi se iniciativa e re nuk synon t’i shmanget drejtësisë apo ta pengojë atë, por të sigurojë që Gjykata Speciale të respektojë të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane.

“Iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës shumë shpejt, ndërkohë unë do të ndërmarr edhe disa hapa tjerë të rëndësishëm para procedimit. Do t'i takoj të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, disa prej tyre tashmë i kam takuar, duke që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij unitetit dhe për përgjegjësinë tonë të përbashkët në këtë betejë shtetërore”, ka deklaruar ajo, transmeton Dukagjini.

Çitaku bëri të ditur gjithashtu se grupi strategjik ka miratuar strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e Apelit në Hagë.

Sipas saj, strategjia është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të partive politike parlamentare shqiptare, ndërsa do të shërbejë si bazë për angazhimin e shtetit të Kosovës në këtë proces.