Në konferencën me gazetarët të mbajtur ditën e mërkurë, Elisa Spiropali e konsideroi nul vendimin e njoftuar nga Taulant Balla për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar i socialistëve. Spiropali tha se ajo është ende pjesë e grupit të PS-së dhe se do të provojë që të marrë pjesë në mbledhjet e grupit, duke u shprehur se mbase do të bëhet gruaja e parë që i ndalohet hyrja. Por, për socialistët vendimi është legjitim dhe ata e kanë zbatuar edhe në praktikë në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ku Elisa Spiropali u zhvendos nga vendi ku qëndronte në krah të Lindita Nikollës dhe kaloi te rreshtat e fundit, në krah të deputetëve të opozitës. Gjithsesi, në këtë seancë karrigia e caktuar për Spiropalin mbeti bosh këtë të hënë, pasi deputetja vetë nuk u paraqit në këtë seancë. Por, mbetet për t’u parë në seancat vijuese nëse ajo do të pajtohet me vendin e ri, apo do të kundërshtojë përjashtimin, ashtu siç paralajmëroi në konferencën për shtyp.