Prezantohet platforma për bullizmin, “Help4You”, adresa ku të rinjtë mund të denoncojnë dhunën
Nxënësit do të mund të denoncojnë rastet e bullizmit dhe të kërkojnë ndihmë përmes platformës “Help4You”, që bashkon në një adresë institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbështetjen e të rinjve.
Platforma u prezantua, gjatë një takimi me gjimnazistë, të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministrit të Punëvbve të Brendshme, Ervin Demo.
“Kjo platformë synon pikërisht këtë, të na vendosë në kushtet kur mund të identifikojmë se kush ka nevojë për ndihmën tonë dhe të jemi aty, në bashkëpunim me të gjitha institucionet, për t’i qëndruar pranë”, tha Ervin Demo, ministër i Punëve të Brendshme.
Ministrja Kumbaro kërkoi që vëmendja ndaj bullizmit të jetë e përditshme dhe të mos kufizohet te aktivitetet ndërgjegjësuese.
“Bullizmi dhe çdo formë tjetër dhune dhe agresioni verbal që ne bëjmë ose pësojmë, nuk është çështje fushatash. Është jeta jonë e përditshme”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja inkurajoi të rinjtë të flasin për problemet që hasin dhe të kërkojnë mbështetje te mësuesit, punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë.




