Monika Lubonja thirrje protestuesve: Mos plagosni simbolet që na bashkojnë
Në prag të protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin në Tiranë, Monika Lubonja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë monumentet dhe shtatoret e figurave historike. Drejtoresha e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit pranë Bashkisë së Tiranës ka publikuar fotografi të monumenteve të dëmtuara në kryeqytet, duke shprehur shqetësimin për trajtimin e simboleve kombëtare.
Në një reagim publik, Lubonja thekson se e drejta për të protestuar është e patjetërsueshme dhe se qytetarët duhet ta shprehin pakënaqësinë e tyre, por pa cenuar monumentet që përfaqësojnë historinë e përbashkët.
Ajo veçon shtatoret e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut, duke nënvizuar se ato nuk i përkasin asnjë partie apo pushteti, por gjithë shqiptarëve dhe brezave që do të vijnë.
Lubonja u kërkon protestuesve që të mos i kthejnë monumentet në objekt dëmtimi, duke kujtuar se respekti për historinë duhet të jetë i përbashkët, pavarësisht bindjeve politike.
Postimi i plotë i Monika Lubonjës:
Në prag të festave të Nëntorit, kur zemra duhet të na kthehet te historia, te sakrificat dhe te njerëzit që i dhanë këtij vendi emër, pavarësi dhe dinjitet, është e dhimbshme të shohësh pamje të tilla.
Përpara shtatoreve të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut duhet të qëndrojmë me respekt, mirënjohje dhe krenari. Jo sepse ata ishin të pagabueshëm, por sepse historia e këtij kombi dhe rruga drejt lirisë mbajnë edhe emrat e tyre.
Të dashur protestues, e drejta për të protestuar është e shenjtë. Zëri juaj duhet dëgjuar, pakënaqësia juaj duhet shprehur. Por mos harroni se këto monumente nuk i përkasin një pushteti, një partie apo një kohe. Ato i përkasin historisë sonë, të gjithëve ne dhe brezave që do të vijnë.
Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë.
Mund të kemi bindje të ndryshme, mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por të paktën të kemi një gjë të përbashkët: respektin për atë që na ka sjellë deri këtu.
Sepse një komb nuk e nderon historinë vetëm me festa dhe fjalime, por edhe me mënyrën se si kujdeset për të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



