Tirana përkujtoi më 26 nëntor 114-vjetorin e ngritjes së flamurit kuqezi, dy ditë përpara shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës pranë mozaikut të Flamurit të Pavarësisë, prefekti i qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, kujtoi qëndresën e tiranasve dhe kontributin e tyre në shpalljen e Pavarësisë.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës, përfaqësues të Prefekturës, Këshillit të Qarkut dhe komuniteteve fetare. Të pranishmit vendosën kurora me lule në nderim të patriotëve tiranas.
Në fjalën e tij, Hajdari kujtoi se, në ditët përpara ngritjes së flamurit, tiranasit u mobilizuan për të mbrojtur qytetin, ndërsa forcat serbe po afroheshin. Ai veçoi rolin e Refik Toptanit, i cili shpalli publikisht pavarësinë më 26 nëntor 1912, dhe të Hamit Borshit, që ngriti flamurin kombëtar. Prefekti përmendi edhe klerikun Xhemal Pazari, i cili atë ditë këndoi në gjuhën shqipe lutjen për pavarësinë e Shqipërisë.
“26 Nëntori është jo vetëm dita e ngritjes së flamurit, por edhe dita e qëndresës, e guximit, e sakrificës dhe e dinjitetit të popullit të Tiranës”, tha Hajdari.
Prefekti kujtoi gjithashtu se Abdi dhe Murat Toptani përfaqësuan Tiranën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosën Aktin e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Në mbyllje të fjalës, ai e cilësoi 26 nëntorin si një ditë që bashkon familjet me rrënjë të hershme në Tiranë dhe qytetarët që ndër vite kanë ardhur nga treva të tjera shqiptare e kanë ndërtuar jetën në kryeqytet.
“Le të ndërtojmë së bashku një Tiranë moderne dhe evropiane, pa harruar kurrë rrënjët, historinë dhe identitetin e saj”, u shpreh Hajdari.
