Çitaku: Drafti i ri për Specialen synohet të miratohet në dhjetor, strategjia për apelin tashmë është miratuar
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit, ndërsa ka njoftuar edhe për hartimin e një iniciative të re ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një deklarim publik, Çitaku ka thënë se draftin e iniciativës së re ligjore e ka pranuar dy ditë më parë, ndërsa një ditë më pas ua ka prezantuar anëtarëve të grupit strategjik.
“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit. Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka mohuar se përmes kësaj iniciative synohet shmangia apo pengimi i drejtësisë, duke theksuar se kërkesa e tyre është që Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e një procesi të drejtë gjyqësor.
Çitaku ka bërë të ditur se iniciativa e re ligjore do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, ndërsa synimi është që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
“Iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Kosovës shumë shpejt. Para procedimit do t’i takojë të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Disa prej tyre i kam takuar. Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe përgjegjësinë e përbashkët në këtë betejë shtetërore”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka shtuar se do të takohet edhe me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfshirë OVL-UÇK-në, si dhe me organizata të shoqërisë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere perëndimore.
“Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor”, ka theksuar Çitaku.
Ndërkohë, ajo ka njoftuar se grupi strategjik ka miratuar edhe strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.
Sipas saj, ky dokument është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës.
“Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, ka thënë ajo.
Në deklarimin e saj, Çitaku është ndalur edhe te debatet dhe kritikat e javëve të fundit, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë ta ketë prioritet mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Për PDK-në, mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut, me çdo çmim dhe me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të partisë që të kenë besim në procesin e mbrojtjes, duke e cilësuar atë si betejën kryesore të subjektit politik../Telegrafi/




























