Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos gjatë vizitës në Tiranë ka folur në Këshillin Kombëtar të Integrimit.
Sipas saj, sa më shumë t’i afrohet Shqipëria anëtarësimit në Bashkimin Evropian, aq më e rëndësishme bëhet dëshmia se institucionet e vendit funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive.
Një vëmendje të veçantë komisionerja i kushtoi shtetit të së drejtës, duke theksuar se përcaktuese do të jetë mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë edhe rastet që përfshijnë persona në pozita të larta të pushtetit.
Ajo u ndal edhe te procesi i reformave ligjore, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve që preken nga ndryshimet në legjislacion.
Sipas saj, shoqëria civile duhet të ketë mundësi reale për të kontribuar në reformat që do të formësojnë të ardhmen e Shqipërisë.
“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që keni publikuar tregon rrugën që duhet ndjekur. Ne të gjithë e dimë që udhërrëfyesi nuk përbën garanci. Sa më pranë anëtarësimit, aq më shumë duhet të tregoni se institucionet funksionojnë.
Në fushën e shtetit të së drejtës do të jetë përcaktuese se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë edhe ato për persona që janë në pozita të larta të pushtetit.
Ata që ndikohen nga ndryshimet në legjislacion duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e procesit. Shoqëria civile duhet të ketë mundësi të vërtetë të kontribuojë në këtë reformë që do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë.
Disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit”,- tha Kos.













